Transmetuar më 23-12-2020, 13:27

Thuajse një muaj pas nga vdekja e legjendës argjentinase të futbollit, Diego Armando Maradona (u nda nga jeta më 25 nëntor), kanë nisur të dalin edhe rezultatet e para të autopsisë mbi shkaqet që sollën humbjen e jetës.

Kështu, e përditshmja argjentinase “Ole” ka publikuar disa detaje nga autopsia mbi trupin e “El Pibe D’oro”, ku ndër të tjera nënvizohet se nuk janë gjetur shenja alkooli apo droge, ç’ka përjashton mundësinë që vdekja t’i jetë shkaktuar nga lëndë të tilla.

Analizat konfirmuan gjithashtu edhe mungesën e përdorimit të ilaçeve për sëmundjet e zemrës, por njëkohësisht nxorën në pah përdorimin e barnave psikotrope nga ana e ish-legjendës.

Sipas autopsisë, Diego vdiq si pasojë e "edemës akute të mushkërive", shoqëruar edhe me një përkeqësim akut të zemrës, që rezultoi se peshonte 503 gramë, thuajse dyfishi i peshës normale të këtij organi.

Gjithashtu, janë gjetur gjurmët e një cirroze në mëlçi, një nekrozë tubulare akute në veshkë dhe disa probleme të tjera në mushkëri. /e.a/noa.al/