Transmetuar më 23-12-2020, 16:30

Janë mbyllur katër ndeshjet e para ta javës së 10-të në Kategorinë Superiore, me fitoren e Vllaznisë që mban vendin e parë. Ndeshja kryesore mes Kukësit dhe Tiranës nis në orën 16:45.

Apolonia-Vllaznia 0-1

Edhe pse me mungesa Vllaznia kryesuese ia ka dalë të fitojë ndeshjen e sotme në transfertë ndaj Apolonisë. Shkodranët iu falën një goli të Ardit Hoxhaj në pjesën e parë dhe më pas ruajtën rezultatin deri në fund.

Kuqeblutë lanë pas krahëve humbjen e fundit ndaj Laçit, ndërsa falë këtij trepikëshi të radhës ia dalin të ruajnë të qetë vendin e parë në klasifikim me 22 pikë.

Apolonia e trajnerit provizor Borova pëson disfatën e radhës, duke mbetur në fund të klasifikimit me vetëm pesë pikë.

Skënderbeu-Teuta 1-3

Teuta ia ka dalë të marrë fitoren e dytë radhazi teksa ka mposhtur në transfertë Skënderbeun. Durrsakët e nisën mirë sfidën duke qenë se shpejt gjetën golin e avantazhit me anë të Dejvi Bregut, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, teksa ndëshkoi ish-skuadrën e tij. Edhe pse provuan korçarët për të barazuar rezultatin, pjesa e parë u mbyll me avantazhin e miqve.

U duk se të besuarit e trajnerit Julian Ahmataj mund të merrnin pikë në këtë ndeshje pasi ia dolën të barazonin në minutën e 54 me anë të Pusit. Gjithsesi, reagimi i Teutës ishte i menjëhershëm, kur kaloi sërish në avantazh me anë të një tjetër ish-lojtari të Skënderbeut, Blerim Krasniqi.

Krasnqi ndëshkoi sërish vendasit dhe vulosi fitoren për të tijtë. Pas këtij suksesi, Teuta ngjitet në vendin e tretë me 16 pikë, ndërsa korçarët mbeten të parafundit me gjashtë pikë.

Partizani-Kastrioti 2-0

Partizani është rikthyer te suksesi në ditën e sotme, teksa nuk merrte tre pikë prej katër ndeshjesh radhazi. Të kuqtë ia dolën të mposhtnin 2-0 Kastriotin në “Selman Stërmasi”.

Ai që zhbllokoi ndeshjen në pjesën e dytë ishte i riu Tedi Cara, i cili shënoi në minutën e 86. Ndërkohë, në minutat shtesë realizoi Jasir Asani me një penallti.

Partizani ngjitet në kuotën e 16 pikëve në vend të dytë, ndërsa Kastrioti është në vendin e shtatë me 13 pikë.

Laçi-Bylis 2-0

Laçi nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro ka marrë fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur në shtëpi me rezultatin e pastër, 2-0, Bylisin.

Kurbinasit shënuan në minutën e 33 me anë të Xhixha që shfrytëzoi në maksimum një pasim të Harmon dhe me portën gjysmë të zbrazët nuk e pati të vështirë të realizonte.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, edhe pse miqtë u munduan të reagonin, Laçi gjeti golin e qetësisë nëpërmjet Lushkjes në minutën e 52-të. Pas këtij suksesi, Laçi shkon në vendin e pestë me 14 pikë, ndërsa Bylis mbetet në vendin e tetë tashmë me tetën pikë të grumbulluara./a.m/NOA.al