Transmetuar më 27-12-2020, 14:49

Greqia ka nisur sot vaksinimin e qytetarëve të saj me dozën e parë anti-Covid. E para që e mori vaksinën e kompanisë "Pfizer", ishte infermierja, Efstathia Kampisiouli.

Gjatë kohës që ajo po bënte vaksinën, pohonte vazhdimisht se gjithçka ishte “Ok”. Ndërkohë mes të parëve që është vaksinuar, ishte edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

"Plotësisht pa dhimbje. Kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, sot mund të jemi optimistë", – tha ai.

Ashtu si liderët në SHBA dhe vende të tjera europiane, kryeministri grek është vaksinuar në një transmetim të drejtpërdrejt televiziv.

Mitsotakis iu injektua vaksina pak para orës 14:30 në spitalin "Attikon", ndërsa përpara tij u vaksinua një infermiere, një 88-vjeçar dhe Presidenti i Republikës.

“Sot, të gjithë grekët janë duke buzëqeshur nën maska, pasi në vendin tonë fillon detyra e vështirë e vaksinimit masiv”, shtoi kryeministri dhe theksoi se “si një udhëheqje politike, sot ata japin shembullin se vaksina është e sigurt dhe efektive“. /e.a/noa.al/