Transmetuar më 28-12-2020, 10:50

Kroacia është goditur nga tri tërmete me fuqi relativisht të lartë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas mediave kroate, edhe Zagrebi u trondit nga dridhjet e tokës, megjithëse epiqendra ishte afër Petrinjas.

Sipas vlerësimeve fillestare të autoriteteve, tërmeti kishte një magnitudë 5.1 ballë të shkallës Rihter. Ai ishte ndjerë në pothuajse të gjithë Kroacinë edhe pse duket se nuk ka ndonjë dëm material.

Ndërkohë mediat kroate kanë sjellë rrëfimet e banorëve që kanë përjetuar dridhjet e tokës.

“Dridhjet zgjaten për 15-20 sekonda dhe më zgjuan nga gjumi”, shkroi një banor.

“Po ju telefonoj për tërmetin. Unë dhe burri im ishim duke fjetur dhe u zgjuam nga një tingull i tmerrshëm dhe kishte dridhje, shtrati ynë po dridhej dhe zgjati disa sekonda. Ne kemi katër fëmijë, ata u zgjuan dhe ishin shumë të frikësuar”, ka thënë një banor nga Zagrebi.

“Lëkundje si në një varkë dhe zgjati më shumë se zakonisht”, ka rrëfyer një tjetër.

Fshati Strašnik në Banovina, rreth dhjetë kilometra nga Petrinja, është një nga zonat më të goditura në serinë e tërmeteve këtë mëngjes që goditi Kroacinë.

"Isha në shtëpi, ajo u trondit, unë dola jashtë në një sekondë. Ranë edhe dy të tjerë, e as që hyra në shtëpi, rruga po lëkundej. Ah, frikë … Unë kam qenë në luftë dhe nuk kam frikë, por isha i shqetësuar për fëmijët", thotë një banor i Strashnikut.

Ky është tërmeti i dytë që ka goditur Kroacinë këtë vit. Në mars, një tërmet me madhësi 5.3 goditi Zagrebin duke shkaktuar një viktimë dhe 27 të plagosur. /e.a/noa.al/