Transmetuar më 29-12-2020, 11:50

Pas thuajse dy muajsh, deputeti Andi Përmeti ka fituar betejën e vështirë me koronavirusin. Ai ka ndarë në rrjetet sociale një foto krah të bashkëshortes, ku shprehet se tashmë mund të festojnë ditëlindjen e saj dhe triumfin përballë COVID-19.

Përmeti thotë se ajo ia doli që mes ankthit dhe frikës ta mbante me shpresë se asgjë e keqe nuk do të ndodhte.

“Tashmë mund të festojmë! Gëzuar ditëlindjen Fjona! U bëfsh 100 vjec! Tashmë mund të festojmë, jo vetëm ditëlindjen tënde, por edhe fitimin e betejës 61 ditore ndaj Covid-19. Një betejë e luftuar dhe e fituar nga të dy. Përditë, pranë meje, duke më mbushur me buzëqeshje dhe gënjeshtra të bardha se sa mirë isha dhe se sa po përmirësohesha, ndërsa maska dhe veshja anti-Covid të mbulonin frikën e ndonjë lajmi të kobshëm që mund të merrje nga momenti në moment. Ti i’a dole mes ankthit dhe frikës të më mbaje me shpresë, që asgjë e keqe s’do të më ndodhte dhe unë e fitova betejën time i mbushur me guxim nga shpresa që ti më jepje përditë, duke më qëndruar pranë! Fitorja e betejës ishte e imja po aq sa e jotja. Së bashku i’a dolëm. Tashmë mund të festojmë! Gëzuar!”, shkruan Andi Përmeti.

Deputeti i opozitës parlamentare, Andi Përmeti, arriti ta fitojë betejën për jetën ndaj Covid 19, pas një qëndrimi dy mujor në një spital të Turqisë në terapi intensive.