Transmetuar më 04-01-2021, 16:59

Një përkthyese ukrainase u gjet e vdekur me duart e saj të prangosura pas shpine si dhe me një qese plastike mbi kokë, në apartamentin e saj në Turqi. Lajmi raportohet nga Daily Mail.

Kristina Novitskaya, 30 vjeçe, u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në Bodrum, në bregdetin e Egjeut. Ajo kishte vdekur disa ditë më parë. Dera e përparme ishte e mbyllur nga brenda, si dhe dritaret, dhe nuk kishte asnjë gjurmë për shenja dhune.

Policia lokale po heton për vetëvrasje, por miqtë e viktimës pretendojnë se Kristina nuk do t’i kishte dhënë fund jetës, duke qenë se ishte gjithmonë "e gëzuar" dhe donte të jetonte.

Sidoqoftë, shtuan miqtë, ajo ishte gjithashtu "e rezervuar" për sa i përket jetës së saj private në Turqi, ku jetoi dhe punoi veç pëkthimit edhe si instruktore vallëzimi.

"Ne nuk besojmë se ajo bëri vetëvrasje," i tha media një mik i Obozrevatel në Kiev. Sipas raporteve të hetimit, policia turke beson se gruaja mund të jetë depresionuar për shkak të mungesës së punës si rezultat i pandemisë.

Pasi familja, miqtë dhe fqinjët nuk arritën ta kontaktojnë atë, ata njoftuan policinë. Trupi i saj u gjet i ulur në një karrige në dhomë, e prangosur dhe me një qese plastike mbi kokë, thonë raportet. Litarë, qymyr dhe një shall u gjetën gjithashtu në vendin e ngjarjes, por asnjë shkak i vdekjes nuk është njoftuar deri më tani. Trupi u dërgua në Institutin Ligjor për autopsi./a.m/NOA.al