Rruga Vlorë-Orikum/ Denaj i përgjigjet Metës: Procedura është ligjore
Transmetuar më 06-01-2021, 12:08

Ministrja e Financave, Anila Denaj ka sqaruar përplasjen me presidentin Ilir Meta lidhur me marrëveshjen e huasë me Fondin Saudit të Zhvillimit për projektin e rrugës Vlorë-Orikum.

Ministrja tha në një konferencë për mediat se procedura është plotësisht ligjore dhe se presidenti është informuar me dy shkresa.

Ajo pohoi se nuk ka pasur negociata për marrëveshjen, pasi nuk bëhej fjalë për hua të re, por për një hua të negociuar më parë.

Ministrja shtoi se një pjesë e huasë është rialokuar nga një objekt në tjetër, brenda të njëjtës zonë gjeografike, ndërsa tha se janë respektuar të gjitha proceduat dhe nuk ka shkelje të Kushtetutës. Denaj theksoi se krijimi i një grupi negociator është i panevojshëm, kur ka dakordësi mes palëve.

Mbrëmjen e djeshme, Meta akuzoi kryeministrin Rama se ka vënë në rrezik serioz shtetin lidhur me marrëveshjen që Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim për rehabilitimin e objekteve në aksin Vlorë-Orikum përmes huasë së marrë nga Fondi Saudit i Zhvillimit, një marrëveshje që sipas Metës është bërë në kundërshtim të Kushtetutës.

Ky reagim i Metës erdhi pasi një ditë më parë, kryeministri Rama, nga Vlora ngriti shqetësimin se presidenti  ka bllokuar një pjesë të investimeve të projektit të ri të infrastrukturës turistike të Vlorës, që do të lidhë Ujin e Ftohtë me Radhimën e Orikumin. /e.a/noa.al/