Transmetuar më 06-01-2021, 14:48

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin kanë marrë sot vaksinën ruse kundër koronavirusit, "Sputnik V".

Siç raportojnë mediat serbe, Vulin dhe Daçiç janë vaksinuar në Institutin e Virologjisë "Torlak", në Beograd.

Vaksinën ruse e kanë marrë edhe një sërë zyrtarësh tjerë serbë, përfshirë Marija Gnjatoviç, nga Instituti për Energjinë Bërthamore, Dragana Despot, drejtoreshë e Institutit për Ekologji Mjekësore dhe Mirsad Gjerlek, sekretar i Shtetit në ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë.

“Të gjithë jemi mirë. Do të marrim dozën e dytë brenda tre javësh, por nuk kam dyshim se do të jemi mirë. Ne nuk kërkuam të bëjmë vaksinën, por iu përgjigjëm kërkesës së ekspertëve që zyrtarët më të lartë të tregojnë publikisht se nuk kanë frikë nga vaksinat”, tha kryetari i Kuvendit, Ivica Daçiç.

Ai deklaroi se ky veprim nuk ka motive politike dhe shtoi se është rënë dakord që udhëheqësit e lartë institucionalë të merrnin vaksinat nga prodhues të ndryshëm në mënyrë që të rrisin besimin e qytetarëve në vaksinimin kundër COVID 19.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, theksoi se vaksinimi kundër COVID-19 është falas. Dorëzimi i parë i 2,400 dozave të vaksinave "Sputnik V" arriti në Serbi më 30 dhjetor.  /e.a/noa.al/

Foto: Google