Transmetuar më 06-01-2021, 15:29

Mesfushori kuqezi Taulant Seferi është zyrtarizuar te Tirana, por një ditë më pas bardheblutë morën lajmin për bllokimin e merkatos nga FIFA dhe menjëherë nga kjo po tenton të përfitojë Partizani.

Bisedimet kanë nisur mes drejtuesve të “demave” dhe menaxherit të futbollistit të Kombëtares shqiptare, i cili erdhi në formë huazimi te bardheblutë.

Partizani ka pasur kontakte edhe me Young Boys, që i kishte dhënë më parë “OK”-in Tiranës.

Synimi i Partizanit është ta huazojë dhe ta ndajë pagesën me zviceranët, pasi Seferi përfiton 12 mijë euro në muaj. Të kuqtë thuhet se kanë mbyllur marrëveshjen edhe me brazilianin Stenio Junior, i cili luan si sulmues anësor.

Sakaq nuk ka mbetur pas Vllaznia. Albion Avdiaj mësohet se ndodhet në Shkodër dhe pritet të firmosë për kryesuesit e deritanishëm të kampionatit.

Sulmuesi i Tiranës duket se ka gjetur marrëveshjen me klubin bardheblu për kontratën dhe në këto momente po negocion me drejtuesit shkodranë për të gjetur një akord me ta.

Avdijaj kërkon të bëhet afrimi më i ri i Vllaznisë, mbi objektivat e larta që kanë kuqeblutë për  këtë sezon, ndërsa Tirana me vendimin e fundit të FIFA-s, duket se është dorëzuar, aq sa ka hequr dorë nga pretendimet e larta./a.m/NOA.al