“Përse kaq shumë dhunë ndaj gruas shqiptare?”
Transmetuar më 06-01-2021, 18:07

OPINION nga Blendi Kajsiu

Çdo ditë, në media për ballemi me dhunën që ushtrohet në mënyrë sistematike ndaj grave dhe vajzave shqiptare nga burrat shqiptarë.

Rasti i fundit ishte vrasja makabër që kreu Përparim Ademi ndaj dy motrave, me të cilat kish pasur marrëdhënie jashtëmartesore.

Sfida e parë kur përballemi me krime të tilla është të eliminojmë romantizmin e aktit kriminal. Në një botë mediatike mashkullore ekziston një tendencë e fortë për të romantizuar dhunën ndaj grave si shfaqje e pasionit të dashurisë.

Jo rrallë, një mashkull që vetëvritet pasi ka vrarë të dashurën, e cila do t’i japë fund lidhjes, me të etiketohet Romeo. Kështu, një akt i pastër kriminal transformohet në një sakrificë të lartë dashurie. Pak rëndësi ka se Romeo as e vrau dhe as i shkonte ndër mend ta vriste Zhuljetën.

Krime të tilla shpesh klasifikohen nën konceptin pa sens “krime pasioni”. Është një koncept absurd, sepse dhuna ndaj grave buron nga xhelozia dhe jo nga dashuria. Ndjenjat negative si xhelozia, zilia apo urrejtja nuk janë pasion, pavarësisht intensitetit emocional. Pasioni është një ndjenjë pozitive dhe jo negative ndaj diçkaje apo dikujt.

Njeriu ka pasion për artin, ambientin apo poezinë, por nuk mund të ketë pasion xhelozinë, zilinë apo urrejtjen. Është e paimagjinueshme që holokausti apa gjenocidi i Srebrencës të klasifikohen si “krime pasioni”, thjesht sepse gjermanët urrenin me pasion hebrenjtë apo serbët boshnjakët. Atëherë, pse dhuna sistematike dhe e qartë ndaj grave duhet romantizuar si “krim pasioni”?

Ndaj, është tepër e rëndësishme që vrasjen, keqtrajtimin dhe abuzimin e grave dhe të vajzave shqiptare ta zhveshim nga romanizimi, nga “pasioni”, apo gjithfarë sentimentalizmash justifikues. Le t’i vëmë emrin që kanë të gjitha fenomenet të mësipërme: dhunë e egër!

Në shoqërinë shqiptare kemi të bëjmë me një dhunë sistematike dhe të përhapur ndaj grave dhe vajzave shqiptare. Të gjitha studimet tregojnë se femra shqiptare përballet me nivele të larta dhune fizike dhe psikologjike brenda dhe jashtë familjes. Vrasja është thjesht shembulli më ekstrem, por jo i vetëm, i kësaj dhune.

Pyetja që shtrohet është: përse? Përse meshkujt shqiptarë vrasin dhe dhunojnë gratë dhe vajzat shqiptare kaq shpesh?

Ndonëse shkaqet janë të shumta, mendoj se një nga arsyet themelore të dhunës ndaj grave është konceptimi i tyre si pronë në kulturën tonë maskiliste. Të kuptohemi, kjo nuk është një dukuri vetëm shqiptare, dhe nuk buron thjesht nga Kanuni i Lekës. Edhe sot e kësaj dite, në vendet e zhvilluara babai e “jep” në martesë bijën te burri. Është një akt simbolik i transferimit të pronës nga një burrë te tjetri, që mbetet pjesë e ritualit të martesës fetare.

Konceptimi i gruas si pronë i heq asaj vullnetin dhe autonominë individuale. Në këtë mënyrë, për mashkullin shqiptar është shumë vështirë të pranojë dhe njohë autonominë dhe pavarësinë e femrës si individ, sidomos kur kjo bie ndesh me vullnetin e tij.

E njëjta liri, autonomi apo pavarësi që merret si e mirëqenë ose pranohet për mashkullin (për të pasur shumë lidhje seksuale apo jashtëmartesore) është e paimagjinueshme apo e papranueshme për femrën. Shoqëria jonë, si shumë të tjera, ofendohet nga liria e gruas. Ndaj ka ngritur një mizëri mekanizmash që kufizojnë lirinë e saj, si në hapësirën private, ashtu edhe në atë publike. Dhuna dhe frika nga dhuna është vetëm njëri nga këto mekanizma.

Kur një grua vendos t’i japë fund një lidhjeje me një burrë apo vendos të lidhet me dikë tjetër, në thelb ajo shpreh autonominë e saj si individ, lirinë e saj për të zgjedhur në kundërshtim me vullnetin e mashkullit. Në kulturën tonë maskiliste, ky është një mëkat i pafalshëm, që prodhon xhelozinë, zemërimin dhe dhunën e mashkullit që ndihet i ofenduar nga liria e femrës.

Problemi është që ndryshe nga shumë shoqëri të zhvilluara ky konceptim i femrës dominon jo vetëm shoqërinë në përgjithësi, por edhe elitat tona politike, kulturore dhe intelektuale. Kjo duket qartë jo vetëm te mënyra se si romantizohet dhuna ndaj gruas në mediat elektronike, por edhe te mënyra si trajtohet gruaja në sferën tonë publike.

Kështu, pak kohë më parë, lideri historik i opozitës, Sali Berisha, denoncoi si nepotizëm emërimin e Bledar Çuçit si ministër i Brendshëm, sepse ky i fundit jeton me ish-bashkëshorten e Edi Ramës. Edhe pse akuza në pamje të parë duket absurde, ajo bazohet te një logjikë maskiliste që e redukton gruan në një objekt pa vullnet, që shkëmbehet ndërmjet dy meshkujve, duke krijuar kështu një obligim reciprok mes tyre.

Po kështu, trajtimi që u bëhet politikaneve femra, që nga Jozefina Topalli deri te Grida Duma, në sferën tonë publike nga analistë, mediat apo intelektualët e kësaj sfere tregon se sa e vështirë është për shoqërinë tonë të pranojë një femër “pa pronar”, të lirë dhe autonome.

Ndërkohë që politikanët meshkuj lundrojnë në afera jashtëmartesore, abuzojnë me pushtetin dhe vartëset e tyre, bërtasin, çirren dhe kacafyten, çdo ngritje zëri nga një politikane femër apo çdo lidhje intime që ajo mund të krijojë denoncohen publikisht si skandali i shekullit. Është një standard i dyfishtë që zgjeron lirinë e mashkullit dhe redukton atë të gruas.

Ndaj, dhunën ndaj gruas shqiptare duhet ta kuptojmë dhe luftojmë, ndër shumë arsye të tjera, edhe si mohimi që shoqëria shqiptare i bën lirisë dhe autonomisë së saj. Dhuna është njëkohësisht shkak dhe pasojë e këtij mohimi. Ajo buron nga refuzimi i mashkullit shqiptar për të pranuar lirinë e gruas dhe njëkohësisht shërben për ta kufizuar këtë liri. Një grua e trembur dhe e kërcënuar nuk është një grua e lirë./panorama