Transmetuar më 09-01-2021, 14:22

NGA QEMAL ÇEJKU*

Prej disa muajsh vendet e  Evropës kanë ngritur një shërbim të integruar arsimor në platformat online dhe me atë offline me efikasitet të lartë në cilësinë e kurrikulave  dhe në kombinimin e orëve të pranisë fizike.

Në këtë drejtim  ekspertët që drejtojnë institucione shkencore, studimore vazhdojnë në mënyrë periodike të përcjellin ide, dhe të analizojnë ekspertizat se si duhet të vazhdojë mësimi në shkolla, programet dhe module të dedikuara për këtë situatë jo të zakontë…

Në këtë sfidë të përditshme shteti shqiptar ka qenë  inekzistent që në fillim pasi ka patur një vakuum të të menduarit  strategjik dhe të vepruarit online duke futur kështu në një qerthull edukimin dhe arsimin e disa brezave, atyre adoleshentë në shkollat nëntëvjecare dhe të rinjve në shkollat e mesme dhe arsimit universitar.

Në afro dhjetë muaj nuk kemi asnjë  studim, apo zbatim të një programi efektiv studimi, funksionon vetëm një platformë propagande interneti  cila ka bllokuar cdo nivel të përcjelljes së dijes nga mësuesi në auditorin e të rinjve në anën tjetër të kompjuterit.

Janë me qindra dëshmi të  studentëve dhe nxënësve që publikohen në rrjetet sociale dhe mediat për mosfunksionim të platformës së Internetit ndërkohë që tenderat e zhvilluar për këtë qellim të dirigjuar nga Ministria e Arsimit, kapin shifrën e miliona eurove.

Pra asnjë lek nga taksat e prindërve dhe tarifat e majme të studentëve për edukim dhe arsimim, nuk është përkthyer shërbim nga shteti në këtë situatë të jashtëzakonshme.

Si ekspert i arsimit për një kohë të gjatë vlerësoj se paketa e edukimit online duhej bazuar në disa hapa dhe planveprime

Garantimi në aksesin në internet si hapi i parë shumë me rëndësi, ku shteti të mbështeste uljen e dividentit dixhital ( diferenca mes komuniteteve me akses të lartë në Internet dhe atyre me qasje shume të ulët për shkak të nivelit ekonomik dhe kordinatave gjeografike)  përmes kordinimit të politikave lehtësuese fiskale për kompanitë e internetit, kompani celulare, biznese, por dhe blerje nga qeveria të paketave për mbështetje  sociale, janë alternativa të mundshme. Mjetet e duhura të TIK janë thelbësore dhe parakushte për çdo strategji mësimdhënieje dhe mësim-nxënieje në internet.

Krijimi i mundësive përmes granteve social-ekonomike për të siguruar mjetet për mësimin online, si kompjutera, laptopë ose tabletë.

Institucionet përgjegjëse duhet që të mendojnë seriozisht duke ndihmuar familjet në nevojë, një bashkëpunim me biznesin apo me vullnetarë të ndryshëm donatorë, përbën një domosdoshmëri.

Duhet një strategji për arsimin në internet (online), së bashku me materialet e mësimdhënies dhe të të nxënit, duhet të zhvillohen përmes një procesi të koordinuar, në mënyrë që të shmangen premisat që secili mësues ose shkollë të zgjedhë formën e vet të mësimit online, formë  e cila thjesht do të rriste pasigurinë e sistemit, pa dhënë efektivitet apo normalitet. Kjo nuk nënkupton që modele të ndryshme arsimimi dixhital nuk mund të bashkëjetojnë, por kjo duhet të jetë e organizuar dhe menaxhuar mirë

Gjatë kësaj periudhe emergjence mund të rritet edhe pabarazia në aftësitë socio-emocionale. Fëmijët me status më të ulët socio-ekonomik kanë më shumë të ngjarë të ekspozohen ndaj një ambienti shtëpie, stresues sesa bashkëmoshatarët e tyre nga një status më i lartë socio-ekonomik. Duhet të ofrohet aksesi për gjithsecilin në internet me një shpejtësi të përshtatshme.

Mbështetni mësuesit! Mësuesit duhet të mësojnë se si ta përshtasin rolin e tyre në situatën në të cilën ndodhen sot  kur mund të komunikojnë vetëm në internet. Një studim i Gateway School Education 38, i cili me 4,859 të anketuar nga më shumë se 40 vende (nga të cilët 86% ishin mësues ose drejtues shkollash), tregoi se;  pas COVID-19, shumica e mësuesve (66.9%) u desh të jepnin mësim në internet për herë të parë. Është thelbësore për të përmirësuar aftësitë dixhitale të mësuesve në të gjitha moshat, si dhe për t’u siguruar se ata janë të trajnuar mirë në qasjet e reja pedagogjike më të përshtatshme për internet.

Mbështetni prindërit, për të ndihmuar fëmijët e tyre; prindërit janë një element thelbësor dhe më shumë për nxënësit. Prindërit duhet të përfshihen në hartimin e strategjisë dhe në zbatimin e saj, pasi ato kanë nevojë për të kuptuar plotësisht atë që mësohet. Komunikim i rregullt dhe i hollësishëm midis prindërve, mësuesve dhe shkollës është një element themelor i një strategjie të suksesshme të të mësuarit në internet.

Arsimi sot në Shqipëri ka hyrë në një fazë krejtësisht kaotike, ku prej një vit kalendarik, por praktikisht janë dy vite shkollore që sistemi ecën në vakuum dhe efektiviteti i mësimit është nul.

Cikli i ulët po humbet sensin e shkollës, maturantët po mbyllin një nivel pa produktivitet dhe po shkojnë në fakultete ku kërkohet ekspertizë profesionale dijesh pa asnjë produktivitet si për shembull, studentët e fakulteteve të mjekësisë, inxhinierisë, shkencave ekzakte, apo profesionistët e nesërm ne fushat e sportit  arteve, etj

Këmbanat e dështimit të arsimimit online po bien prej muajsh dhe dështimi real do të sjellë shume shpejt “off-in”  e shumë sektorëve jetësorë të vendit. Kjo emergjence nuk pret më dhe koha po skadon nga dita në ditë për të ndërhyrë në kurimin e  epidemisë së injorancës.

*Ekspert Arsimi në Shoqatën e Bashkive