Transmetuar më 11-01-2021, 08:22

Shqipëria nuk do të presë javën e tretë të janarit për të nisur procesin e vaksinimit, por do të fillojë që ditën e sotme.

Vaksinimi do të nisë në ish-stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" tashmë të rikonstruktuar. Atje janë përshtatur disa hapësira të brendshme për vaksinim.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një postim tjetër mëngjesin e sotëm, për të njoftuar edhe një herë nisjen e fushatës së vaksinimit.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan se tashmë me vaksinën anti-Covid pritet që lufta me armikun e padukshëm të shkojë drejt fundit.

"Dhe pak orë nga nisja e fushatës së vaksinimit #ShqipëriaBuzëqesh,  duke ju marrë pak minuta nga koha juaj, për të hedhur vështrimin pas në orët, minutat, ditët, javët e muajt e jashtëzakonshëm të luftës me Armikun e Padukshëm, e cila sot hyn në fazën e ofensivës së madhe për largimin e tij përfundimtar nga jeta jonë, ju uroj një javë të mbarë”.

Ndërkohë, dita e diel shënoi tetë humbje jete nga koronavirusi, ndërsa shifrat e tjera, si infektimet ashtu edhe hospitalizimet luhaten në të njëjtat nivele në këtë fillimvit. Afro tre mijë testime kanë identifikuar 562 raste në të gjithë vendin, ndërsa të shëruar janë 321 qytetarë.

Aktualisht, në 4 spitalet COVID, po trajtohen 274 pacientë, 23 në terapi intensive nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar. /e.a/noa.al/