Transmetuar më 11-01-2021, 12:45

Pak orë para nisjes së fushatës së vaksinimit në vend, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka zbardhur planin se si do të zhvillohet procesi në rang vendi.

Ministrja bëri të ditur se fillimisht do të vaksinohet stafi mjekësor, por edhe këtu do të ketë një prioritet, duke nisur fillimisht me stafin e spitaleve Covid dhe më pas me personelin mjekësor në reanimacione e urgjenca.

"Aspekti kryesor është për prioritizimin e grupeve që do vaksinohen dhe fillon me ata që janë në përballje të përditshme me armikun e padukshëm, janë punonjësit e shëndetësisë. Këtu ka një prioritizim, pasi numri i personelit tonë mjekësor është 23 mijë, së bashku me personelin mbështetës. Kemi prioritizim brenda grupeve, pra të gjithë mjekët dhe infermierët që ofrojnë shërbim në spitalet tona Covid do të jenë të parët që do të vaksinohen. Vaksinimi i tyre nis sot dhe do të shtrihet më tej në vijim sipas planit. Vijojmë më pas me punonjësit shëndetësorë në reanimacione, urgjenca dhe më tej", – tha ajo.

Manastirliu shpjegoi se mes grupeve të identifikuara si prioritare për t’u vaksinuar janë edhe të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

"Në fazën e parë vaksinojmë personelin shëndetësor, por kemi dhe vaksinimin e kombinuar, pasi do të përpiqemi që të jemi shumë specifikë në grupet që kanë nevoja urgjente. Planifikojmë që personat e moshuar që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe në institucione të shëndetit social të vijojnë vaksinimin në mënyrë paralele".

Sipas Manastirliut, do të vijohet më pas me personat mbi 75 vjeç, "që janë mbi 170 mijë dhe kështu me radhë sipas kalendarit. Duke e bërë vaksinimin në qendra të posaçme siç është stadiumi. Kemi krijuar këto postacione, që janë 60 dhe kanë të parashikuar gjithë elementët e sigurisë dhe cilësisë. Nuk do të ketë vaksinime vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër, Vlorë e më tej", – shtoi ministrja pa dhënë shumë detaje.

Çdo person pas vaksinimit, do të duhet të presë në ambientet e stadiumit së paku 30 minuta, për të parë nëse do të ketë komplikacione, sqaroi ministrja.

Vaksinimi do të nisë sot në orën 15:00 në ambientet e ish-stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" tashmë të rikonstruktuar. /e.a/noa.al/