Transmetuar më 11-01-2021, 18:11

Rikthimi i nxënësve në shkolla i ka gjetur djemtë e vajzat e shkollës "Europa" në Elbasan me pankarta në duar duke e nisur vitin e ri 2021, me kërkesën më të thjeshtë të mbijetese në mësim, ngrohjen në këtë dimër të ftohtë. Nën thirrjet "Duam ngrohtësi" ata demonstruan një kërkesë sa modeste aq dhe jetike për mbarëvajtjen mësimore.

Klaudia Krasnika, Sekretare e Pergjithshme Lëvizjes Socialiste për Integrim Dega Elbasan, tha sot se shkolla "Europa" po shkon çdo vit e më larg standardit europian.

"Ndërkohë që Qeveria dhe pushteti lokal reklamojnë projekte 3D, harron të kryejë detyrën funksionale, përgjegjësinë dhe detyrimin që ka ndaj këtyre fëmijëve përsa i përket sistemit të ngrohjes!", evidenton Krasnika.

Fakti është se kjo nuk është hera e parë që nxënësit e kësaj shkolle nuk zhvillojnë mësim.

Bordi i prindërve dhe i nxënësve të kësaj shkolle kanë më shumë se dy vjet që trokasin derë më derë për zgjidhjen e këtij problemi.

Por çfarë duhet që shkolla "Europa" të funksionojë normalisht? Thjesht vetëm një kaldajë.

"Një kaldajë! Po po, një kaldajë e cila ka nevojë për riparim është i gjithë problemi dhe lë qindra nxënës me këmbët dhe duart akull të zhvillojnë mësim në të ftohtë", vë në dukje Krasnika.

Bashkia Elbasan, Qendra Ekonomike e Arsimit dhe Ministria e Arsimit kanë mbi tryeza qindra shkresa dhe ankesa për këtë problem.

Krasnika është e bindur se arsyet janë të thjeshta pse në këtë shkollë fëmijët vuajnë nga i ftohti: "Askush nuk merr përsipër zgjidhjen, sepse për ta nuk janë fëmijët të parët! Për ta janë oligarkët fitues të tenderëve, të cilëve e kanë të pamumdur t’u kërkojnë llogari!", pohon Krasnika. /a.b/noa.al/