U “rebelua” ndaj trajnerit, Lacio planifikon shitjen e Strakoshës
Transmetuar më 12-01-2021, 12:32

Shtypi italian raporton se Lacio ka nxjerrë në shitje Thomas Strakoshën, me portierin shqiptar që mund të largohet që në merkaton e janarit.

Duket se "rebelimi" i Strakoshës, pasi ka mësuar se nuk do të ishte titullar këtë javë ndaj Parmës, i ka kushtuar shtrenjtë portierit shqiptar.

Ky i fundit kishte hedhur dorezat në tokë, pasi kishte mësuar vendimin e trajnerit Inzagi dhe kishte braktisur fushën stërvitore, duke shkuar direkt në shtëpi me pretendimin se kishte probleme fizike.

Klubi e mbështeti këtë hipotezë për të mos krijuar telashe mediatike, por është mësuar se Strakosha është gjobitur për këtë veprim.

Të njëjtat burime tregojnë se pakënaqësia e portierit dhe ky "rebelim", kanë shtyrë drejtuesit e Lacios që të planifikojnë largimin e shpejtë të tij.

Trajneri Inzagi gjatë kësaj periudhe i ka besuar vendin e titullarit ekspertit Reina, duke ulur në stol gardianin kuqezi, i cili që nga momenti që u infektua me COVID-19, është aktivizuar vetëm në ndeshjen ndaj Fiorentinës.

Në verë Strakosha ishte pranë rinovimit me Lacion, por që nga momenti që humbi vendin e titullarit, ai ka refuzuar të hedhë firmën mbi kontratën e re.

Mbetet për t’u parë nëse në këtë fazë merkatoje do të vijnë oferta në drejtim të Lacios për kartonin e portierit shqiptar, duke pasur parasysh krizën ekonomike në futboll prej pandemisë, si dhe vlerën e lartë të kartonit të tij, që mund të shkojë deri në 15-në 20 milionë euro. /e.a/noa.al/