Transmetuar më 13-01-2021, 09:23

Policia e Tiranës ka arrestuar sanitaren e spitalit “Shefqet Ndroqi”, e cila i merrte para një vajze, që kishte nënën e saj të shtruar në këtë strukturë mjekësore me Covid 19.

Policia thotë se ka rënë në pranga shtetësja me iniciale T.A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Vajza e pacientes me COVID, që prej 28 ditësh ishte shtruar te spitali "Shefet Ndroqi", ka kallëzuar në polici se "infermierja"  T.A., i ka marrë çdo ditë rreth 5.000-6.000 lekë.

"Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, sqaron policia.

Ka qenë vajza e 55-vjeçares, E.S., e cila humbi betejën me COVID pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, e cila denoncoi faktin se një sanitare e këtij spitali, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.

Komunikimet nëpërmjet WhatsApp-it të vajzës dhe nënës së saj të publikuara në emisionin investigativ ‘Stop’, faktuan se edhe shërbimi, edhe përkujdesja ndaj të ndjerës, nuk kanë qenë ato që pretendohen. E ndjera është ankuar se sanitarja që e kishte paguar nën dore i ka hequr bukën, ujin dhe nuk e ka ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale ajo detyrohej t’i kryente në krevat.

Për fat të keq, pacientja, nëna e vajzës që kallëzoi rastin në media, humbi jetën para pak javësh, duke mos arritur ta mposhtë sëmundjen e koronavirusit. /e.a/noa.al/

Foto: Google