Transmetuar më 13-01-2021, 11:28

Detaje të reja janë zbuluar nga përplasja mes dy biznesmenëve të ndërtimit tek rruga “Ndre Mjeda” në Tiranë, ku për pasojë mbetën dy persona të plagosur dhe një i lënduar.

‘Abc news’ raporton se historia e konfliktit mes biznesmenëve Albert Allmuça dhe Sino Llanaj është i hershëm.

Dy bashkëpronarët kanë akuzuar njëri-tjetrin për mos kryerje pagesash të përbashkëta. Po ashtu, si shkak i këtij konflikti disa muaj më parë, ata kanë bllokuar edhe rrugën kryesore të zonës me kamionë në mënyrë që të mos vijonte ndërtimi i objektit.

Mosmarrëveshjet mes dy pronarëve kanë bërë që afati i përfundimit të pallatit të shtyhet, e për pasojë banorët që kanë blerë hyrje, kanë protestuar të shtunën.

Vetëm pak ditë më parë, të shtunën e javës së kaluar, Sino Llanaj u rrah nga badigardët e ortakut të tij gjatë protestës së banorëve që kishin porositur apartamete në pallatin që po ndërtojnë ata tek rruga “Ndre Mjeda” në Tiranë.

Duke iu kthyer ngjarjes së sotme, i plagosur ka mbetur edhe roja i objektit i cili ka marrë goditje me grushte në trup edhe në kokë.

Ai është dërguar në spital për kujdes shëndetësor, ndërsa bashkë me këmbësorin Klodjan Gomina, që mori një plumb në këmbë dhe Llanajn, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

I vetmi që u gjet në vendin e ngjarjes nga policia ishte këmbësori i plagosur, ndërsa Llanaj ishte nisur vetë drejt spitalit. Policia është në kërkim të autorit Albert Allmuça.

Ndërkohë, më datë 13 shtator 2020, në këtë kompleks pallatesh u rrëzua nga lartësia dhe humbi jetën, roja i objektit shtetasi N.B., rreth 50 vjeç /e.a/noa.al/