Dalin pamjet nga depo e ISHP-së ku ruhen vaksinat anti-Covid (Video)
Transmetuar më 13-01-2021, 13:05

Në ditën e tretë vaksinimit anti-COVID në vend, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektuan sot frigoriferët në ISHP, ku ruhen vaksinat.

Sasia e dozave anti-Covid të kompanisë "Pfizer" ruhen në depon qendrore të ISHP-së në kushte të larta sigurie, me policë në derën kryesore, në frigoriferë të mbyllur -80 gradë celcius me çelës dhe në ambiente të monitoruara me kamera sigurie.

Rama tha se njerëzit duhet t’i shikojnë këto pamje, për të qenë të sigurt si ruhet vaksina, pasi ka dhe nga ato zëra që flasin për teori konspirative.

“Duhet t’i shikojnë njerëzit se ka edhe konspiracione”, tha kreu i qeverisë.

Rama ndërkohë i drejtoi dhe një pyetje ministres Manastirliu, “po mirë një pyetje kam unë, sikur kjo të na ndodhte kur s’kishim këto depo, çfarë do na ndodhte këtu?”.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu ka folur me shifra sa i përket kapaciteteve frigoriferike që ka Shqipëri për mbajtjen e vaksinave anti-Covid të kompanive të ndryshme.

“Kapacitetet aktuale në tërësi janë 250 mijë doza vaksine "Pfizer", në mënyrë të menjëherëshme dhe për ato të "Moderna"-s 950 mijë doza njëkohësisht, ndërsa sa i përket kapaciteteve frigoriferike të  vaksinave të tjera, kemi kapacitete për të pritur 7 milionë doza”, tha Manastirliu. /e.a/noa.al/