Transmetuar më 15-01-2021, 09:24

Vendi ynë është përfshirë  nga temperatura të ulëta dhe reshje të dendura dëbore, kryesisht në vendet malore.

Akulli dhe dëbora kanë përfshirë disa zona të territorit, duke krijuar edhe probleme në qarkullimin e automjeteve.

Korça dhe Dibra janë zgjuar mëngjesin e sotëm të mbuluar nga dëbora. Në qytetin juglindor trashësia e dëborës ka rritur deri në 5-10 cm në qytet dhe në zonat malore deri 15-20 cm.

Nga sa raportohet, nuk ka probleme në qarkullim në akset kryesore.

Në aksin kryesor Qafë Thanë-Kapshticë, kalueshmëria është normale, por rekomandohet me zinxhirë. Janë hapur akset rrugore Libonik-Sheqeras-Orman-Rembec-Pojan-Zvezdë-Golloberdë-Potgorie-qyteti Maliqit.

Për në fshatin e Dardhës, paralajmërohet që qarkullimi të bëhet detyrimisht me zinxhirë, për shkak të vështirësisë të akullit në rrugë.

Komuna e Dardhasit të sipërm është izoluar, po ashtu edhe zona e Panaritit dhe Lekasit, ku bora ka arritur në 30 cm.

Mësohet se kanë pasur problem me energjinë në Sheqeras, Sovjan e zonën e Gorës.

Ndërkohë, akulli dhe ngrica kanë ‘pushtuar’ edhe rrugët e Dibrës. Policia iu bën thirrje përdoruesve të mjeteve të përdorin zinxhirët, si pasojë e ngricave dhe motit. Probleme me energjinë ka në njësinë administrative Shupenzë.

Edhe qarku i Elbasanit, kryesisht zonat malore janë përfshirë nga reshjet e dëborës. Në zonat malore të Librazhdit, si Stëbleva, trashësia e dëborës ka arritur në 10-15 cm.

Në Qafë Thanë trashësia raportohet të ketë arritur 10 cm, ndërsa pjesa tjetër e qarkut ka pasur reshje të dobëta shiu.

Akset Elbasan-Qafë Thanë  dhe ai Librazhd-Stërblevë, nga Klenja në Zgosh, qarkullimi bëhet me zinxhirë.

Furnizimi me energji elektrike ka pasur probleme në Njësinë Administrative Rrajcë e Qukës, të Bashkisë së Përrenjasit. /e.a/noa.al/