Transmetuar më 15-01-2021, 19:47

Në Greqi ka me mijëra shqiptarë që përmbushin detyrimin ushtarak, si kusht për të marrë nënshtetësinë. Por dy prej tyre, duket se kanë marrë gradën “gjeneral” dhe kanë vënë nën urdhra ushtarët, madje në gjuhën shqipe.

Mediat greke i kanë bërë jehonë një videoje që ka qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale.

Në video, dy të rinj që flasin shqip u japin urdhra ushtarëve grekë, të cilët i kanë vënë në rreshtore dhe i detyrojnë të brohorasin një emër, që mesa duket është emri i moderatorit të njohur nga Kosova, Meriton Mjekiqi.

Gjithashtu 2 të rinjtë duket sikur po “përshëndesin” edhe shokët e tyre nga Shqipëria në “rrugën 5 Maji”, siç edhe përmendet në video.

Njëri prej tyre i cili duket të ketë një rol drejtues në repartin ushtarak, urdhëron ushtarët grekë të përsërisin emrin e njërit prej djemve që po përshëndesin, “Me Ri Ton”, ndërkohë ushtarët e përsërisin pa hezitim.

Mediat greke e kanë cilësuar si një skandal dhe kanë nisur hetimet.

Videoja e diskutueshme, e postuar në Instagram, tregon qartë fytyrat e autorëve.

“Shumë përdorues të internetit pyesin se si është e mundur që dy shtetas të huaj të jenë në radhët e ushtrisë greke dhe të urdhërojnë ushtarët grekë”, thuhet më tej në artikullin e medias greke./a.m/NOA.al