Transmetuar më 16-01-2021, 17:04

E pakënaqur me ardhjen e ngadaltë të vaksinave në BE, Hungaria ka vendosur të porosisë 1 milion doza të vaksinave kineze. 

Kryeministri Viktor Orban e njoftoi këtë në radion publike, njofton noa.al.

Produkti është ai i Sinopharm, i përdorur jo vetëm në Kinë, por edhe në pjesë të ndryshme të botës, nga Turqia në Argjentinë.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian tha se BE nuk ka informacion mbi vaksinën kineze dhe nuk ka kontakte mbi këtë çështje me Kinën. 

Por Hungaria, një vend i BE, po sfidon unionin duke shprehur hapur pakënaqësinë. 

Orban po kërkon autorizimin e produktit nga autoriteti hungarez i ilaçeve dhe synon të veprojë duke anashkaluar rregullat e BE.

Në Hungari, vaksina Covid (nga Pfizer dhe Moderna) deri më tani është administruar në 1% të popullsisë.

Sakaq raportohet se nuk ka ndonjë plan të vërtetë vaksinimi. Opinioni publik është zhgënjyer nga komunikimi i mjegullt i qeverisë dhe armiqësor ndaj vaksinave. 

Vetëm rreth 38% e popullsisë deklarojnë se duan të vaksinohen, e në çdo rast jo me vaksinën kineze apo atë ruse. /noa.al/