Transmetuar më 17-01-2021, 15:52

Zgjedhja e duhur për të mos pirë duhanin, do të ishte: “Marrja me sport, argëtim, kryerja e aktivitetit fizik, ushqyerja e shëndetshme, eliminimi dhe menaxhimi i stresit, rezistenca ndaj presionit të shoqërisë. Ndërsa në rastet kur jeni duhanpirës dhe vendosni që këtë ves ta lini pas krahëve, edhe pse fillimisht duket e vështirë, është e mundshme me pak kujdes të hiqet dorë nga duhani

Kur jeni gati për të lënë cigaren, është shumë e rëndësishme të kuptoni se, kjo gjë ka ndikimin e saj fizik dhe psikologjik, por ka disa gjëra që duhen bërë për të qenë gati. Ju duhet t’i jepni vetes një mundësi suksesi dhe të jeni realisht në gjendje të vetëquheni një ish-duhanpirës.

Por cilat janë këshillat që rekomandojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, për tu ndjekur nga të gjithë ata persona të cilët duan të marrin këtë vendim në mbrojtje të shëndetit të tyre, por edhe njerëzve përreth tyre.

Vendosni një datë

Duke vendosur një datë paraprakisht, ju do të keni mundësinë të përgatiteni psikologjikisht dhe fizikisht për të lënë cigaren. Cila është data më e mirë? Vendosni një datë që nuk është nesër, por as disa muaj larg. Ideale do të ishte data pas një muaji. Kjo u jep mjaftueshëm kohë për ta lënë, por edhe për të mos humbur guximin e për të mos ndryshuar mendje.

Pse pini duhan

Çfarë ju shtyn të ndizni cigaren? Identifikoni shkaqet në mënyrë që të dini cilët janë kurthet dhe të jeni gati për to. Mbani shënim kur dhe ku jeni, kur pini cigare. Me kë jeni? Çfarë bëni? Si ndiheni? Mendoni si do ta mposhtni këtë dëshirë në çdo rast. Hiqni cigaret dhe produktet e tjera të duhanit nga shtëpia, makina dhe puna juaj.

Arsyet pse do lini duhanin

Një tjetër këshillë e rëndësishme është edhe bërja e një liste me të gjitha arsyet, përse duhet ta lini duhanin, duke shkruar edhe pse tashmë ju do të jeni një person joduhanpirës. Kështu, duhet të përgatiteni mirë për t’i thënë lamtumirë të gjitha gjërave që kanë lidhje me cigaren, si dhe të largoni nga shtëpia, makina, zyra çdo gjë që ka lidhje me cigaren.

Këshilla

Lënia e duhanit shoqërohet nga një sërë këshillash nga ekspertët e shëndetit publik, të cilët theksojnë se edhe gjërat e vogla përreth jush janë faktorë që ju favorizojnë ta rinisni edhe një herë atë, ndaj është e rëndësishme të pastroni rrobat, qilimat, perdet, makinën, mobilet, pavarësisht se ju nuk e vini re, por të gjitha këto mbajnë erë tym duhani. Edhe shpërblimi i vetes sipas afateve të përcaktuara ose objektivave të vendosura, është një tjetër këshillë e rëndësishme. Kështu, zgjidhni një listë me shpërblime për ditën tuaj të parë, javën, muajin dhe vitin pa duhan, për të qëndruar i motivuar. Sa i takon nikotinës, duhet të zgjidhni një produkt që e zëvendëson atë. Nikotina terapeutike mund të dyfishojë mundësinë për suksesin në lënien e cigares, sepse ndihmon në uljen e intensitetit të dëshirës për nikotinë, kështu ju mund të fokusoheni në heqjen dorë nga ky ves.

Ekspertët rekomandojnë edhe vendosjen e objektivave ku të shihni progresin tuaj në javën, muajin, vitin në vazhdim; të flisni me familjarët dhe miqtë tuaj nëse ndiheni komod, për vendimin tuaj për të lënë cigaren. Ata mund t’ju ndihmojnë.

Një tjetër këshillë e vlefshme është edhe takimi me dentistin, pasi mbajtja e dhëmbëve të pastër dhe një buzëqeshje e bardhë, është arsye për të lënë cigaren. Studimet kanë treguar se sa me shumë këshillime individuale ose në grup të keni, aq më e madhe është mundësia e suksesit si dhe e folura me mjekun rrit mundësinë e suksesit.

Tundimi

Qëndroni larg nga ajo çfarë ju tundon! Qëndroni larg gjërave që ju lidhin me pirjen e duhanit. Bëjeni këtë gjë sot dhe në javët në vijim. Shkoni në vende ku pirja e duhanit nuk është e lejuar, derisa të siguroheni se ju mund të qëndroni pa pirë cigare. Mos u takoni me miq të cilët janë duhanpirës, por edhe nëse i takoni kërkojini të mos pinë duhan në praninë tuaj.

Stresi

Stresi është normal. Shumë njerëz përballen me të. Ju mund të mësoni të përballeni me stresin pa pirë cigare. Lënia e duhanit mund ta shtojë stresin. Është e rëndësishme të qetësoheni para se ta lini duhanin. Fillimisht duhet të qetësoni muskujt tuaj, shtrëngoni duart tuaja grusht, qëndroni kështu për 5 sekonda. Qetësohuni dhe vëreni se si ndiheni. Bëjeni përsëri. Bëjeni provë edhe më pjesë të tjera të trupit: Krahë, fytyrë, bark, këmbë, rregulloni frymëmarrjen, merrni frymë ngadalë, mbajeni frymën për 5 sekonda, nxirreni jashtë ngadalë, qetësohuni për 5 sekonda, përsëriteni këto veprime 4 herë.

Aktiviteti fizik

Të lësh duhanin nuk është aq e thjeshtë, ndaj ekspertë rekomandojnë marrjen me aktivitet fizik për të gjithë ata persona të cilët e kanë marrë këtë vendim të rëndësishëm. Këshillohet të bëni ecje në natyrë, ecje me biçikletë, not, vallëzim ose aktivitete të tjera, në të cilat ju do mund të harxhoni energji.

Avantazhet te femrat

Ato femra që e lënë duhanin para moshës 50-vjeçare, kanë dy herë më pak mundësi të vdesin në 15 vitet e ardhshme, krahasuar me ato që vazhdojnë të pinë. Rreziku për t’u zhvilluar kanceri në qafën e uterusit, ulet. Rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare (infarkt, atak cerebral) dhe infeksionet respiratore (bronshit, pneumoni), zvogëlohen. Duhanpirëset që preken nga ulcera e stomakut që lënë duhanin, shërohen më shpejt. Ato që lënë duhanin para shtatzënisë, lindin fëmijë me të njëjtën peshë, si jo duhanpirëset.

Të mirat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata të një jete, pa duhan pas:

8 orësh: Oksigjeni i gjakut vjen në normalitet. Rreziku i infarktit të miokardit fillon të zvogëlohet.

24 orësh: Monoksidi i karbonit eliminohet nga trupi. Mushkëritë fillojnë të heqin mukozën dhe katranin. Rreziku i infeksioneve respiratorë, tip broshit dhe pneumoni, fillon të ulet.

48 orësh: Nikotina nuk ndodhet më në gjak.

1 jave: Ndjesitë e shijes dhe aromës përmirësohen.

3-9 muaj: Frymëmarrja përmirësohet (më pak kollë, më shumë frymëmarrje). Funksioni i mushkërive rritet 5 deri në 10 për qind.

1 vit: Rreziku i sëmundjeve të zemrës (p.sh., infarkt) përgjysmohet.

5 vjet: Rreziku i atakut cerebral përgjysmohet. Rreziku i kancerit të gojës, ezofagut dhe fshikjes, përgjysmohen.

10 vjet: Rreziku i kancerit të mushkërive përgjysmohet. Rreziku i aksidenteve vaskulare-cerebrale (atak cerebral), arrin nivelin e rrezikut të joduhanpirësve.

15 vjet: Rreziku i sëmundjeve të zemrës (p.sh. infarkti), arrin atë të joduhanpirësve. Vdekshmëria arrin afërsisht atë të njerëzve që nuk kanë pirë kurrë duhan.