Transmetuar më 18-01-2021, 08:07

Aleksei Navalni u ndalua në pikën e kontrollit të pasaportave në aeroportin Sheremetyevo të Moskës pak pasi zbriti nga avioni me gruan e tij Julia.

Opozitari rus ishte nisur me një avion nga Berlini. Ai u bllokua nga oficerët e departamentit operativ të Shërbimit Penal Federativ të Rusisë, raportojnë mediat e huaja. Para arrestimit, kur mbërriti në Moskë, ai u tha gazetarëve: "Jam i lumtur, kjo është shtëpia ime".

Sapo arriti në pikën e kontrollit të pasaportave, oficerët i kërkuan që ta ndiqte dhe gruaja e tij e puthi duke e përshëndetur. Avokati i tij nuk mundi të shkonte me të.

Në aeroportin Sheremetyevo të kryeqytetit rus, Navalni u tha gazetarëve që e prisnin në Terminalin D: "Unë jam këtu dhe mund t’ju siguroj se jam i lumtur, kjo është shtëpia ime. Të gjithë më pyesin: a keni frikë? Jo, nuk kam frikë. Unë erdha me një shpirt të qetë, pastaj do të shkoj në shtëpi, sepse e di që kam të drejtë dhe ju bëj thirrje gjithashtu edhe juve të mos keni frikë".

Por disa minuta pasi tha këto fjalë, Navalni u bllokua nga agjentët. Një shënim nga Shërbimi Federal i Burgjeve, thotë se Navalni, "i dënuar me me kusht, u vendos në listën e të kërkuarve më 29 dhjetor 2020 për shkelje të shumta të periudhës së provës".

Navalni qëndroi për një periudhë rehabilitimi në Gjermani, pasi dyshohe se u helmua nga agjentë të FSB-së ruse në Siberi. Ai ishte ndier keq gjatë një udhëtimi me avion dhe më pas u shtrua në spital në gjendje të rëndë.

Prej andej, familja e tij dhe mbështetësit, kërkuan që të transportohej në Gjermani, ku pas një qëndrimi disa mujor arriti të shpëtojë.

Gjermania dhe disa vende europiane, pas analizave të plota mjekësore, dolën në rezultatin se kritiku i Kremlinit ishte helmuar me agjentin ushtarak që përdoret nga Rusia, "Novichok".

Nuk vonuan ankesat për lirimin e tij nga BE, përmes Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe numrit një të Parlamentit Evropian, David Sassoli, por edhe nga SHBA dhe saktësisht, nga presidenti amerikan, Joe Biden./e.a/noa.al/