Transmetuar më 18-01-2021, 10:37

Ish-deputeti Mark Marku do të jetë drejtues politik i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës.

Pedagogu ka qenë më parë deputet i PD-së, ndërsa së fundmi Lulzim Basha i kishte besuar një vend mes anëtarëve të vlerësimit të kandidaturave për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti.

Përballë tij, nga socialistët në Lezhë, Marku do të ketë ish-ministren e Arsimit, LIndita Nikolla, aktualisht deputete e PS-së.

Deri tani Lulzim Basha ka zyrtarizuar disa nga drejtuesit politikë në qarqe, nga Shkodra ku do të jetë Helidon Bushati, Gazmend Bardhi në Elbasan, Enkelejd Alibeaj në Fier, Bujar Leskaj në Vlorë, Edi Paloka në Durrës.

Prof. Asoc. Dr. Mark Marku, është pedagog i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Që nga 1995 Marku punon si pedagog me kohë të plotë në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, i specializuar në semiotikë, histori të medias, etikë mediatike, etj.

Mark Marku ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 2009-2013 nën siglën e Partisë Demokratike. /e.a/noa.al/