Transmetuar më 18-01-2021, 12:19

Policia e Tropojës i ka arrestuar sot një 38-vjeçar, pasi akuzohet për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në muajin maj 2020, kur vendi ishte në izolim për shkak të pandemisë nga koronvirusi.

Sipas bluve, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, “në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas lokalizimit të vendndodhjes, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit: R. H., 38 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë”.

Sipas policisë, ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Policia thotë se "ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë, në datën 14.07.2020, ka dërguar urdhër për ekzekutimin e vendimit penal të datës 07.07.2020, të Gjykatës së Rrethit Tropojë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg'".

Bëhet fjalë për ngjarjen e datës 25.05.2020, kur është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali në fshatin Sopot, ku ndodheshin shtetasit B.Rr. dhe G.Rr.

“Në përfundim të veprimeve hetimore, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit R. H. dhe G. K. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi G.Rr., i cili është kundërpërgjigjur me armë nga brenda lokalit, pas konfliktit për motive të dobëta. Vijon puna për kapjen e shtetasve G. K. dhe G. Rr”, – bën të ditur policia në një njoftim. /e.a/noa.al/