Transmetuar më 18-01-2021, 13:34

Maqedonia e Veriut do të furnizohet nga Serbia me 8 mijë vaksina “Pfizer” kundër Covid-19. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se ka pranuar ndihmën nga Serbia dhe se ka përshëndetur gjestin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke thënë se është shenjë e mirë solidariteti.

“Javën e fundit kemi kërkuar mbështetje edhe nga vende tjera, për të filluar më shpejt me vaksinimin, derisa në shkurt do të vijnë 5.850 vaksinat e para. Sot kemi biseduar me presidentin serb dhe ata pranuan që të na ndihmojnë”, theksoi Zaev.

Vuçiç ka ofruar që vaksinat të jepen në formë të donacionit, por autoritetet e Maqedonisë kanë insistuar që ato të paguhen dhe më pas janë dakorduar që të paguhen sipas çmimit furnizues.

"Ky është një akt solidariteti nga fqinji jonë për forcimin e miqësisë sonë. Jemi duke diskutuar për proceset teknike të shpërndarjes së vaksinave dhe punonjësit shëndetësorë, të sëmurët kronikë, të rriturit dhe kategori të tjera të rrezikuara do të vaksinohen  me dozat e para ”, – theksoi kryeministri Zaev. /e.a/noa.al/