Transmetuar më 18-01-2021, 19:00

Kryeministri Rama tha sot në seancë parlamentare se Qeveria shqiptare ka firmosur me kompaninë “Pfizer” për blerjen e 500 mijë doza vaksinash kundër koronavirusit.

Po ashtu, është lënë e hapur mundësia për të rinegociuar nëse nuk do të gjenden vaksina nga kompani të tjera.

Rama tha se, për shkak se vaksina është e shtrenjtë, është menduar që si fillim të porositet doza prej 500 mijë vaksinash.

“Sot Kuvendi do të votojë për finalizimin e marrëveshjes me kompaninë Pfizer për sjelljen në Shqipëri të masës së parë të vaksinave. Kemi dakordësuar me Pfizerin për 500  mijë doza dhe në kontratën e nënshkruar pak më parë, pas një negociate jo të lehtë, është marrë parasysh edhe nevoja potenciale e mëtejshme.

Qëllimi ynë ka qenë që të sigurojmë fillimisht një sasi vaksinash për një pjesë të procesit të vaksinimit duke pasur parasysh raportin e sasisë me kalendarin e planit kombëtar të vaksinimit dhe duke mos harruar që janë një sërë vaksinash të tjera qoftë ato që presin me ditë aprovimin, qoftë vaksina AstraZeneca  që është aprovuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe pret aprovimin në nivel europian. Qoftë edhe vaksinat që janë në dalje e sipër.

Do të ishte e nxituar dhe e gabuar që të kontraktonim menjëherë të gjithë sasinë e vaksinave duke pasur parasysh dhe çmimin që është fiks dhe i panegociueshëm por duket pasur parasysh dhe procesin e vaksinimit që është me dy doza dhe një sërë elementësh të tjerë sigurie.Kjo vaksinë ka shtrenjtësi në raport me të tjerat. Me Pfizer kemi siguruar akses për doza të mëtejshme në rast se kështu do të gjykohet në vijim nga ana tjetër i kemi lënë vetes hapësirë për të bërë zgjedhjet e duhura në kohën e dukur me potencialisht vaksina të tjera.

Jemi në negociata të vazhdueshme dhe komunikime të vazhdueshme qoftë me kompanitë ashtu dhe me një sërë shtetesh të tjera. I gjithë procesi i shpërndarjes së vaksinës është shumë më i ndërlikuar nga sa duket”, tha Rama.

Shefi i qeverisë përsëriti edhe njëherë akuzën se BE e la vetëm rajonin e Ballkanin Perëndimor  në këtë proces kaq jetik.

“E keni ndjekur deklarimin e  fundit të OBSH që ka folur me një shqetësim jo të vogël për katastrofën e mundshme morale në nivel global për shkak të mosgarantimit të barazisë së aksesit në vaksinim.

Për fat të keq, në konceptimin e planifikimit të marrjes së aksesit në vaksinim përmes Pfizer, BE nuk pa përtej kufijve të vetevetes, e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale.

Kjo ka bërë që sot, përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë vend tjetër në rajon nuk ka filluar vaksinimin. Të gjitha vendet e rajonit prej kohësh kanë parapaguar për të pasur akses në vaksinë përmes COVAX”.

Ndërkohë, kjo marrëveshje u miratua me 94 vota pro në Parlament. /k.k/noa.al/