Transmetuar më 19-01-2021, 08:00

Një karvan i vërtetë njerëzor po marshon nëpër Amerikën Qendrore. Familje, fëmijë, adoleshentë. Këta janë rreth 9 mijë migrantë që u larguan nga Hondurasi javën e kaluar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shpresën për një jetë më të mirë, pas probleme të thella ekonomike në vendin e tyre.

Megjithatë, tani, ata janë bllokuar për 48 orë në Guatemalë në departamentin Chiquimula. Përpjekja e tyre për të kaluar grupet e mëdha të forcave të sigurimit të Guatemalës, në fakt u pengua nga këta të fundit me përdorimin e shkopave të gomës, gazit lotësjellës dhe granatave, në një incident që shkaktoi lëndime të shumta në turmë.

Prandaj, koordinatorët e karvanit po studiojnë një strategji të re për të qenë në gjendje të kapërcejnë pengesën dhe të vazhdojnë me ndërmarrjen e tyre, ndërsa qeveria e Guatemalës përpiqet me të gjitha mënyrat të dekurajojë migrantët "të insistojnë në një projekt që është pothuajse me siguri i destinuar të dështojë".

Ndërkohë, qeveria meksikane ka dërguar Gardën Kombëtare në kufirin e saj jugor, përgjatë lumit Soçiate, për të parandaluar përparimin e migrantëve.

Kriza e gjeneruar nga karvani i migrantëve hondurianë, të bllokuar aktualisht në departamentin Chiquimula në Guatemala, "mund të zgjidhet vetëm me përfshirjen e të gjitha vendeve të rajonit".

Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Guatemalës, Pedro Brolo. "Ne po përballemi me një krizë rajonale, e cila përfshin një situatë të vështirë njerëzore", shtoi ai.

Brolo pastaj tregoi se deri dje në mbrëmje 1,383 qytetarë të Hondurasit, "u kthyen vullnetarisht në vendin e tyre", por që në çdo rast mbetet drama e mijëra migrantëve të tjerë që qëndrojnë në Chiquimula, të vendosur për të vazhduar udhëtimin e tyre në kufirin me Shtetet e Bashkuara.

Një samit ndër-ministror është planifikuar për të shqyrtuar krizën e migrimit, ku do të lejojë të merren "vendime bazuar në informacione të sakta". /e.a/noa.al/