Transmetuar më 19-01-2021, 14:20

Sanitarja-mashtruese, e cila i mori 8 milionë lekë vajzës së një pacienteje me COVID në spitalin"Shefqet Ndroqi", kërkon lirinë në Apel.

Tire Alldervishi ka kërkuar lirimin në Gjykatën e Apelit, me pretendimin se është me COVID dhe përbën rrezik për të tjerët.

Mësohet se ajo është shprehur se ka qenë e shtruar vetë në spital me koronavirus  dhe se ende nuk e di nëse është negativizuar, për pasojë, ajo përbën rrezik për të infektuar të tjerë në qeli, sipas Report TV.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për sanitaren e spitalit Covid 2, me akuzën e mashtrimit më shumë se një herë.

58-vjeçarja, u hoq si infermiere e spitalit dhe i mori 800 mijë lekë vajzës së një pacienteje me COVID, e cila më pas humbi jetën pas 28 ditësh.

Tirja i jepte kallëzueses edhe një listë me ilaçe që duhet të blinte për kurimin e së ëmës. Ajo në momente të caktuara i ka kërkuar edhe 7 mijë lekë, madje i cilësonte pak.

Vajza e pacientes me COVID, ka kallëzuar në polici se Tire Alldervishi i ka marrë çdo ditë rreth 5.000-6.000 lekë, duke i "premtuar" se do të kujdesej për nënën e saj, por rezultoi se kundërta.

Alldervishi nuk ishte në pavionin ku ndodhej e shtruar pacientja dhe për të shkuar në atë pavion hiqej sikur ishte tezja e saj.

Ndërkohë, edhe Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për dyshimet se pacientëve iu kërkohej lekë nga stafi i spitalit COVID-2. /e.a/noa.al/