Transmetuar më 19-01-2021, 15:32

Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar pas konferencës së Kryeministrit Rama që foli për ekonominë.

Lulzim Basha u shpreh se kjo Qeveri i ka ditët e numëruara, dhe se Kryeministri ka marrë paratë e qytetarëve.

Lideri demokrat kritikoi edhe deklaratat e Ramës për BE-në se nuk i ka kushtuar vëmendje Ballkanit për vaksinat kundër koronavirusit.

“Ditët e kësaj qeverie janë të numëruara. Tirja e qeverisë që iu ka marrë paratë qytetarëve shqiptarë, iu ka marrë paratë familjeve shqiptare, ku 96% e tyre paguajnë më shumë taksa. I ka marrë para biznesit shqiptar, ku këto para në vend që t’i kthejnë në shërbime, në investime ia ka dhënë një grushti klientësh të vetët, nuk mundet më të fshihet dhe as të fshehë më vetën e tij duke fajësuar këdo. Përfshirë edhe BE. Është koha për ndryshim.

Është koha për ta larguar këtë qeveri dhe këtë kryeministër të papërgjegjshëm që është shkaktari dhe burimi i kësaj krize. Ne kemi një plan konkret ekonomik. Së bashku me shqiptarët më 25 prill do të heqim të keqen dhe do të nisim rrugën e ndryshimit.

Në këtë rrugë ndryshimi partnerët tanë strategjikë, përfshirë BE do të na ndihmojnë për një plan ekonomik”, tha Basha. /k.k/noa.al/