Transmetuar më 19-01-2021, 21:43

Mjekja gjinekologe, Kozeta Mustafaraj, në këtë intervistë ka folur për simptomat dhe këshillat e nevojshme që duhet të zbatojë çdo grua, në mënyrë që menopauza të kalojë sa më lehtë. Kujdes me dietën dhe ushtrimet fizike

Sonila Isaku

Menopauza është një nga periudhat e rëndësishme të jetës së një gruaje. Ndryshe nga momenti i fillimit të jetës si grua, menopauza nuk festohet si ngjarje pozitive. Megjithatë, menopauza është proces natyral biologjik dhe jo sëmundje. Ajo është e lidhur me ndryshime hormonale, fizike e psikologjike, të cilat ndryshojnë jetën e një femre, por kjo nuk do të thotë se menopauza është fundi i rinisë tuaj. Kërkohet vetëm të përgatitesh për ta kaluar këtë periudhë. Duke marrë informacion rreth ndryshimeve në këtë periudhë, një grua mund të pakësojë çdo keqkuptim apo paqartësi rreth menopauzës. Shumë femra e përjetojnë me stres këtë periudhë, ndërkohë që shumë të tjera nuk dinë të njohin shenjat e saj, në rastet kur ajo është më e hershme. Mjekja gjinekologe, dr. Kozeta Mustafaraj, shpjegon të gjitha detajet dhe këshillat që duhet të ndjekin femrat të cilat janë pranë menopauzës.

Çfarë është menopauza dhe kur fillon shfaqja e saj?

Menopauza është ndalimi përfundimtar i ciklit menstrual dhe bashkë me të edhe i fertilitetit. Mosha e vendosjes së menopauzës, varion nga 40-55, me një mesatare 50 vjeç. Menopauza është proces biologjik natyral. Pavarësisht ndalimit te ciklit, gruaja mbetet e shëndetshme, vitale dhe seksualisht aktive. Por shpesh, kjo mund të shoqërohet me ndryshime psikoemocionale, të cilat përkeqësojnë gjumin e gruas, japin valë nxehtësie, ulin energjitë, ankth apo ndjenjë mërzitjeje. Por çfarë duhet bërë në këto raste, kur menopauza kalon me probleme dhe si një grua ta kuptojë këtë.

Cilat janë simptomat kryesore që shfaqen gjatë kësaj periudhe?

Muaj apo vite para menopauzës, gruaja kalon në perimenopauzë të shprehur klinikisht me një cikël menstrual të çrregullt, me shtim apo rrallim të ardhjes së ciklit. Ndërkohë, simptoma të tjera të cilat vihen re gjatë kësaj periudhe janë edhe tharjet apo skuqjet vaginale, vala e nxehtësisë që prekin gjysmën e sipërme të trupit, disa herë gjatë ditës apo dhe natës. Po kështu, shenja të tjera të fazës së menopauzës janë edhe djersitjet gjatë natës, çrregullimet e gjumit, apo edhe ndryshime të sjelljes, duke patur nervozizëm, shpërthime në qarje të menjëhershme, mërzi, plogështi apo edhe shtim në peshë e ngadalësim të metabolizmit. Po kështu, një femër mund të vejë re edhe hollim të qimes së flokut apo tharje të lëkurës, si dhe humbje të plotësisë së gjirit. Në periudhën e perimenopauzës apo tranzicionin e saj, nis çrregullimi i ardhjes së ciklit, një herë në 2/3 muaj.

Periudha e menopauzës është proces biologjik, por shkencërisht, cilat janë shkaqet që e shkaktojnë atë?

Shkaku kryesor i menopauzës është ulja natyrale e hormoneve. Në kohën kur gruaja është mbi 35 vjeç, vezoret nisin të prodhojnë më pak estrogjen dhe progresteron, duke bërë që të ulet kështu fertiliteti. Pas moshës 40 vjeç, cikli menstrual ndryshon: mund të bëhet më i gjatë apo më i shkurtër, mund të ndryshojë fluksi: më shumë apo më pak, të rrallohet apo të shpeshtohet deri sa përreth moshës 51 vjeç, vezorja nuk prodhon më vezë dhe gruaja nuk ka menstruacione.

Hysterectomi është heqja e mitrës, por me ruajtje të vezoreve nuk sjell menopauzë, edhe pse gruaja nuk ka më menstruacione, në vezore vazhdojnë të prodhohen hormone (estrogjeni dhe progresteroni). Por nëse gjatë ndërhyrjes hiqen dhe vezoret, atëherë shkaktohet menopauza me gjithë shenjtat klinike të saj të menjëhershme dhe më të forta, pasi nuk kalojnë periudhën etranzicionit natyral.

Një tjetër rast, është insuficienca vezoriale primare. Një përqindje e grave, mund të kenë menopauzë të parakohshme, si rezultat i pamjaftueshmërisë së vezoreve prej faktorëve gjenetikë ose autoimunë. Në këto raste, zëvendësimi hormonal është i domosdoshëm për të ruajtur trurin, zemrën dhe sistemin kockor.

Ardhja e periudhës së menopauzës, a mund të sjellë ndërlikime tek një grua?

Patjetër që po. Një grua mund të shfaqë sëmundje të zemrës dhe vazave të gjakut. Rënia e vlerave të estrogjenit bën të rritet rreziku për sëmundje të zemrës. Ndaj, në këtë periudhë, është shumë i rëndësishëm kujdesi për peshën, aktivitetin fizik. Po kështu, edhe osteoporoza ka më shumë terren për t’u shfaqur, pasi kockat bëhen më të dobëta e të thyeshme, duke çuar në fraktura të legenit dhe të shpinës.

Po kështu, ndërlikime të tjera që hasen gjatë periudhës së menopauzës, janë edhe inkontinenca urinare. Gjatë kësaj periudhe, indet e vaginës dhe të uretrës humbasin elasticitetin e tyre, çka favorizon ardhjen e nevojës për të urinuar menjëherë (inkontincecë e urgjencës), të pasuar me humbje të pavullnetshme të urinës gjatë kollitjes, teshtitjes apo qeshjes (inkontinencë e stresit). Në të njëjtën kohë, shpeshtohen infeksionet urinare. Një tjetër fenomen që vihet re në këtë periudhë, është edhe shtimi në peshë për shkak të ngadalësimit të metabolizmit, gjë që kërkon ulje të sasisë së ushqimit dhe shtim i aktivitetit fizik.

Si ta kuptojë një grua që është në fazën e menopauzës?

Shenjat dhe simptomat janë të mjaftueshme për të treguar që gruaja po futet në menopauzë, megjithatë mjeku mund të kërkojë dozimin e FSH (hormoni folikulostimules që rritet në këtë periudhë dhe estrogjenin që zakonisht bie. Po kështu edhe TSH (hormoni stimulues i tiroides), pasi ulja e funksionit të tiroides mund të japë shenja të ngjashme me menopauzën.

A ka mënyra të trajtimit të saj dhe cila është ajo që duhet ndjekur nga gratë?

Menopauza është gjendje fiziologjike dhe si e tillë nuk ka nevojë për trajtim. Mjekimet që jepen kanë për qëllim vetëm lehtësimin e shenjave dhe të simptomave për parandalimin apo trajtimin e gjendjeve kronike që shfaqen me plakjen e gruas. Trajtimi me hormone estrogjen, mbetet ai më efektivi kundër afsheve të nxehtësisë, çrregullimeve të tjera shoqëruese, i shoqëruar ose jo me progesteron. Po kështu, një femër në fazën e menopauzës mund të marrë mjekim për tharjen vaginale në formë tabletash, unaza apo krem vaginal. Ky mjekim lokal ndihmon dhe në lehtësimin e diskomfortit gjatë marrëdhënieve seksuale, si dhe të një pjese të çrregullimeve urinare. Një tjetër mjekim me doza të ulëta, mund të jetë edhe antidepresivët, të cilët përdoren për lehtësimin e afsheve të nxehtësisë, në rastet kur terapia me estrogjen është e pamundur të merret, si dhe në rastet e pranisë së çrregullimeve të humorit, shoqëruese të menopauzës këto.

A duhet të ketë një mënyrë të re jetese për gratë të cilat janë në periudhën e menopauzës?

Një femër e cila është në fazën e menopauzës, domosdoshmërisht duhet të ndryshojë një pjesë të mirë të stilit të saj të jetesës, duke filluar nga veshja, mënyra e të ushqyerit, përdorimi ose jo i disa produkteve si dhe aktiviteti fizik. Më konkretisht, një grua e cila është në periudhën e menopauzës, duhet të kujdeset për freskimin e afsheve, duke filluar nga veshjet e lehta, pirja e ujit të ftohtë ose qëndrimi në mjedise të freskëta. Të shmangen nxitësit e këtyre afsheve si: pije të nxehta, kafeinë, ushqime pikante, alkooli, stresi, mjedis i nxehtë. Një tjetër pjesë e rëndësishme është edhe gjumi, qetësia e mjaftueshme, duke shmangur kafeinën, alkoolin pasditeve, si dhe ushtrimet fizike në darkë. Dieta e shëndetshme e balancuar me shumë fruta, perime, drithëra duke kufizuar yndyrat, vajin dhe sheqerin, është ndër këshillat kryesore për gratë. Po kështu, mospirja e duhanit është një tjetër këshillë që jepet, pasi duhani shton rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje nga tensioni, osteoporoza, kancer, rrit frekuencën e afsheve të nxehtësisë dhe favorizon një menopauzë të parakohshme. Dhe këshilla e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është kryerja e aktivitetit fizik të rregullt që ndihmon kundër sëmundjeve të zemrës, osteoporozës, diabetit dhe gjendjeve të tjera të lidhura me plakjen.

Shenjat më të shpeshta që shoqërojnë menopauzën:

– Çrregullimet menstruale, periudha të gjata pa menstruacione;

– Periudha të tjera me menstruacione të gjata, në sasi të shtuar hemorragjike;

– Afshet e nxehta;

– Skuqje të fytyrës, kraharorit;

– Djersitje e rrahje të shpeshta të zemrës;

– Dhimbje gjatë aktit seksual;

– Shtimi në peshë;

– Në disa raste mund të shfaqet edhe diabeti;

– Rritet niveli i kolesterolit në gjak;

– Pagjumësia;

– Djersitje natën;

– Lodhja;

– Ndryshime në humor;

– Depresion në disa raste.

Këshillat e nevojshme që duhen zbatuar

– Mos pini duhan.

– Të keni një dietë të shëndetshme, me pak yndyrna, me shumë fibra, me shumë fruta, perime dhe të pasura në minerale dhe vitamina;

– Sigurohuni të merrni sa duhet kalcium dhe vitaminë D, përmes dietës ose medikamenteve që mund të përshkruajë mjeku;

– Mbajtja e peshës trupore brenda normës;

– Të kryeni aktivitet fizik të vazhdueshëm;

– Konsumi i sa më shumë lëngjeve;

– Konsumi i pijeve të ftohta kur shfaqet një afsh i nxehtë;

– Përdorni veshje të lirshme në mënyrë që lëkura të marrë frymë normalisht;

– Të përdoren lubrifikantë vaginalë ose krem vaginal/vulvar, me përmbajtje estrogjenësh;

– Kontrolle rutinë që përfshijnë: pap-test, ekografi gjinekologjike, mamografi dhe ekografi mamare.

Dhurata: Më kishin treguar për menopauzën, por nuk e besoja kaq të vështirë

48 vjeçarja nga Tirana, tregon për shqetësimet e njëpasnjëshme që po përjeton gjatë kësaj faze, si dhe vizitat mjekësore që iu desh të kryente

Dhurata, prej kohësh, nuk kishte mundur të kuptonte ndryshimet që po i ndodhnin në trupin e saj, apo edhe shikimet apo pyetjet që i bënte në disa raste edhe shitësja e bukës. Derisa një ditë, takoi në shkallët e pallatit një fqinjë më të madhe në moshë, e cila po e pyeste me detaje për gjendjen e saj shëndetësore. “Kisha kohë që edhe pamja ime kishte ndryshuar, duke u ndjerë më në siklet dhe e lodhur, për shkak të kalimit të menopauzës. M’u desh të takoja fqinjën time, e cila kishte përjetuar të njëjtën periudhë si unë, që të kuptoja se isha në fazën e parë të këtij ndryshimi fiziologjik, por shumë të vështirë”, – pohon Dhurata, 48 –vjeçarja nga Tirana.

E ndërsa kuptoi se cilat ishin shqetësimet e para të saj, iu drejtua maternitetit për të kryer një vizitë gjinekologjie. Mjekja e cila e ka ndjekur prej kohësh Dhuratën, që në lindjen e fëmijëve e deri më pas, i ka pohuar se është në fazat e para të menopauzës. “Prej kohësh, kisha nisur të vishesha më lehtë se koleget e punës. Kur ato kishin ftohtë dhe ndiznin kondicionerin, unë isha gjithmonë ajo që kundërshtoja. Fillimisht, si me shaka ma thanë të vizitohesha, por duke qenë më të vogla se unë nuk po e besoja, ose më saktë nuk doja ta besoja që isha në atë fazë. Por nëse do të kisha shkuar që atëherë të isha vizituar, ndoshta do ta kisha përjetuar edhe më lehtë, pasi do të isha e përgatitur si mendërisht, ashtu edhe nga ana e kurimit” – pohon Dhurata.

Nga ana tjetër, ajo tregon se edhe jeta e saj e përditshme ka ndryshuar, duke u kujdesur për një dietë të shëndetshme, duke kryer më shumë aktivitet fizik. “Ajo që mjekja më këshilloi gjatë vizitës, ishte se pas menopauzës ka shumë mundësi për shfaqjen e sëmundjeve kronike. Kjo më trembi dhe tashmë jam bërë më e kujdesshme si në ushqim, për të mos shtuar peshë, pasi faza pas menopauzës sjell edhe ndryshim të peshës. Po kështu, aktiviteti fizik çdo ditë, është pjesë imja në mënyrë që të mbaj larg këto sëmundje” – pohon 48-vjeçarja.

E ndërsa i duhet edhe një kohë më e gjatë për kalimin e kësaj faze, Dhurata pohon se, shumë gra duhet të kryejnë vizën gjinekologjike që në momentin e shfaqjes së simptomave të para, në mënyrë që ta kalojnë sa më lehtë, në rastet kur duhet të merret mjekim.