Transmetuar më 20-01-2021, 10:25

Babai i të miturës, me iniciale A.P.,e cila humbi jetën pak ditë më parë, teksa u përplas nga një makinë në Tiranë, i ka bërë asaj një dedikim prekës në rrjetet sociale, ku shpreh dhimbjen që ndjen për humbjen e vajzës.

Iljaz Petali, mes të tjerash përshkruan dhimbjen e tij në mënyrë prekëse dhe trishtuese.

“Ah moj zemra babit ti, Ambra ime. Pse ike nga kjo jetë. Pse më le babin vetëm. Ma këpute zemrën o Ambra ime. Allahu të gradoftë në xhenet, u rritsh e lumtur ashtu siç ishe në këtë dynja. Ti ishe frymëzimi im. Do mbetesh gjithmonë ne zemrën time, Ambra babit”, shkruan ai.

E mitura 10-vjeçare, ndërroi jetë pasi u përplas nga një makinë me shpejtësi në derë të shtëpisë, në rrugën "Ramë Sadria" në zonën e Alliasit në Tiranë.

Sot Alban Guri, shoferi i makinës që përplasi të miturën, do të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Sipas dëshmive, Guri, pasi e ka përplasur të miturën, është larguar nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar më pas nga policia, duke rezultuar në gjendje të dehur. /e.a/noa.al/