Transmetuar më 20-01-2021, 11:01

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar vdekjen e ushtarakut shqiptar me mision në Afganistan. Në një njoftim zyrtar të ministrisë thuhet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në orën 22:40 me orën lokale të Afganistanit.

Më tej ministria shton se po bashkëpunojnë me komandën e  operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Megjithatë, në njoftim nuk jepen detaje, emri, mosha apo shkaku pse humbi jetën ushtaraku shqiptar me mision në Afganistan. Deri tani dihet se ai është identifikuar vetëm me inicialet, Xh.J.

Ndërkohë, ushtaraku shqiptar është i katërti që humb jetën në misionet paqeruajtëse jashtë vendit në kuadër të Forcave të Armatosura.

Në muajin shkurt të vitit 2012, mbeti i vrarë në Afganistan, kapiten Feti Vogli, pas një prite me armë në një fshat të Kandaharit.

Ndërkohë, në vitin 2019, ranë në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, major Klodian Tanushi dhe Zarife Hasanaj.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftojnë se dje, në orën 22:40 ora lokale në Afganistan, ka humbur jetën ushtaraku me inicialet XH. J.

Autoritetet e Ministrisë së Mbrotjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA po bashkëpunojnë me komandën e  operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA sigurojnë personelin në mision dhe familjet e tyre se do vijojnë të mbështesin e t’u gjenden pranë për të përmbushur me sukses misionin.

Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tyre të dashur.