Gjashtë nxënëse vajza, janë ndjerë keq pas asfiksisë si pasojë e rrjedhjes së gazit në një shkollë 9-vjeçare jo publike në Tiranë në rrugën "Don Bosko".
Sipas burimeve, vajzat kanë mbërritur në ambientet e QSUT-së për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Tre prej tyre po marrin trajtim mjekësor te Pediatria, ndërsa tre të tjerat janë dërguar pranë Urgjencës.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, teksa ishte duke u zhvilluar një orë normale e mësimit, kur nxënësit kanë filluar të shfaqnin probleme shëndetësore si dhimbje koke dhe të vjella.
Menjëherë është njoftuar spitali, ku kanë mbërritur disa ambulanca, që kanë bërë të mundur transportimin e nxënësve.
Fillimisht u raportua për 4 nxënëse të dërguara në spital, më pas policia tha se edhe dy nxënëse të tjera patën probleme shëndetësore.
Rrjedhja e gazit propan ka qenë tepër e madhe, saqë është ndjerë edhe në ambientet e jashtme të shkollës.
Shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur ajrosjen e ambienteve të shkollës, për të mos pasur akumulim të gazit.
Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes. Ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur si dhe nga ka ardhur rrjedhja e gazit. /e.a/noa.al/