Transmetuar më 21-01-2021, 00:01

Nga dita e djeshme në Milano ka hyrë në fuqi një ligj special bashkiak i cili ndalon konsumin e duhanit edhe në ambientet e hapura.

Duhani nuk lejohet të tymoset në asnjë stacion urbani apo treni, në asnjë stadium apo qendër tjetër sportive, parqe, lulishte apo dhe varreza.

Ata që duan të pinë duhan mund ta bëjnë atë vetëm në mjedise të izoluara që nuk qarkullojnë shumë njerëz dhe nëse kanë distancë 10 metra nga njerëz të tjerë, sigurisht, jo në vendet e sipërpërmendura.

Ky vendim është marrë për shkak të ndotjes së madhe të ajrit që ka ky qytet në Itali me një rregullore të re për cilësinë e ajrit.

Gjoba për shkelësit do të jetë nga 40 deri në 240 euro.

Ndërkohë, nga 1 janari i vitit 2025, duhani do të ndalohet në të gjitha mjediset e jashtme publike.

Bashkia e Milanos tha se këto janë masa që kanë një objektiv të dyfishtë: ato ndihmojnë në zvogëlimin e PM10, që është një grimcë ndotëse e dëmshme për mushkëritë dhe nga ana tjetër mbrohet shëndeti i qytetarëve nga pirja aktive dhe pasive e duhanit në vendet publike dhe të frekuentuara nga të mitur, raporton noa.al.