Transmetuar më 21-01-2021, 10:57

Në 10-vjetorin e vrasjes së 4 protestuesve në bulevard, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria ka vendosur t’i shpallë ata "Dëshmorë të Atdheut".

Rama u shpreh se drejtësia për ta është e papërfunduar, por shtoi se sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe nuk është Parlamenti ai që bën gjyqe.

“Në këtë 10 vjetor qeveria ka vendosur të japë titullin e lartë të “Dëshmorit të Atdheut” për të katërt dëshmorët e protestës paqësore të 21 janarit, – tha ai nga selia e kryeministrisë. – 21 Janari, përtej plagëve të pangushëllueshme që hapi në shpirtin e familjeve të 4 dëshmorëve dhe përtej plagës së madhe që hapi në shoqërinë tonë, shërbeu për të nxjerrë në pah në sytë e të gjithëve llumin e politikës dhe drejtësisë. Të politikës, si mjet në funksion të pushtetit të kthyer në qëllim në vetvete dhe të drejtësisë, si mur i madh i pakapërcyeshëm për njerëzit e këtij vendi dhe për shoqërinë tonë në përpjekjen e transformimeve demokratike".

Rama kujtoi se pas asaj ngjarje, qeveria e tij është përballur me “situata shumë herë më dramatike, nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës, në tejkalim të gjithë asaj kornize që përcakton kushtetuta e ligji, për të drejtën për të protestuar”.

Sipas tij, "kemi të gjitha arsyet për t’u përulur para kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve, humbja e të cilëve vuri një vijë të kuqe dhe të lexueshme për të gjithë duke e bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar, – shtoi Rama. – Jam krenar që ne, si pjesë e asaj përpjekje në një kohë tjetër tejet të vështirë me marrjen e përgjegjësisë së madhe të qeverisjes së vendit, kemi qenë mishërimi i një vullneti për të garantuar lirinë dhe të drejtën për të protestuar dhe në situata shumë herë më dramatike nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës në tejkalim të gjithë asaj kornize që përcakton kushtetuta dhe ligji për të drejtën për të protestuar", – vijoi kryeministri.

Rama speicifikoi se "Parlamenti nuk bën gjyqe dhe nuk jep vendime gjyqësore. Qeveria nuk bën rolin e prokurorisë. As ministri i Drejtësisë as kryeministri nuk ngrenë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së partisë.  Është drejtësia që i bën këto. Krejt e pavarur nga pushteti. Shumëkush e konsideron këtë përpjekje për të justifikuar faktin se drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vet”. /e.a/noa.al/