Transmetuar më 21-01-2021, 22:23

Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka bërë një tjetër përllogaritje të shifrave të Covid-19 në vendin tonë, duke e nxjerrë Gjirokastrën si qytetin dhe qarkun më të prekur nga koronavirusi.

Në një analizë të hollësishme të publikuar në profilin e tij në Facebook, Alimehmeti shkruan se është krijuar ideja se Tirana është më e prekura, por ajo ka më shumë banorë.

Sipas Alimehmetit, nëse të njëjtat vlera përllogariten për 100.000 banorë, vendin e parë për numrin e të infektuarve e mban Gjirokastra me 3616 raste për 100 mijë banorë dhe në vend të dytë është Tirana me 3366 raste për 100 mijë banorë.

Statusi i plotë

Nëse i torturon mjaftueshëm të dhënat, ato do të rrëfehen. Cit.: Prof. Ronald H. Coase Miqtë e mi, është koha t’i hedhim një sy më të hollësishëm të dhënave tona zyrtare! Sllogani “Test, Test, Test” i OBSH-së tashmë na del dhe në ëndërr por rëndësinë e vërtetë ndoshta e kemi anashkaluar. Le të shohim të dhënat tona dhe të kuptojmë më shumë! Ministria e Shëndetësisë na ofron përditë një buletin të dhënash që ka nevojë për një përpunim më të qartë në mënyrë që të jetë më i përtypshëm për popullatën e gjerë. Eshtë krijuar përshtypja e rreme se Tirana ka numrin më të lartë të rasteve dhe të vdekshmërisë, ku shohim se Tirana ka pasur 30.500 raste ndërsa qarku i dytë është Fieri me 5.855 raste ku gabimisht duket sikur Tirana ka 5.2 fish më shumë raste.

Kjo është pjesërisht e kuptueshme sepse është qarku me numrim më të lartë të popullsisë dhe me dendësinë më të lartë të saj, por VETËM PJESËRISHT! Për të rregulluar këtë fenomen mjafton të shprehen të dhënat për çdo 100.000 banorë dhe jo në vlera absolute. Nëse e bëjmë vërejmë se rastet e evidentuara për 100.000 banorë sipas qarkut riformatohen shumë.

Në detaj:

Berat 2.373 raste

Dibër 1.394 raste

Durrës 1.931 raste

Elbasan 1.510 raste

Fier 2.020

Gjirokastër 3.616

Korçë 1.733

Kukës 2.083

Lezhë 2.725

Shkodër 1.971

Tiranë 3.366

Vlorë 2.184

Vini re se si tashmë numrin më të lartë e ka Gjirokastra dhe Tirana del në vend të dytë. Të njëjtin kuadër shohim edhe me humbjet e jetës. Në total, Tirana ka 534 humbje jete dhe i dyti vjen Durrësi me 133 humbje jete, pra duket sikur Tirana ka 4 fish më shumë vdekje. Nëse e bëjmë llogarinë për 100.000 banorë, Tirana mbetet e para por shifrat janë shumë më të përafërt dhe tani diferenca me Durrësin nuk është 401% por 22% (ridimensionim 401/22 = 18 herë më i ulët). KUJDES: Siç e dimë të gjithë, diferenca ndërmjet Tiranës dhe qarqeve të tjerë nuk është vetëm numri i popullatës, por është edhe fakti se Tirana është zona më e fuqishme ekonomike, administrative dhe politike. Këtë e vëmë re shumë lehtë në numrin e testimeve të kryera në Tiranë në krahasim me qarqet e tjera.

Në krahasim me Tiranën, për çdo 100.000 banorë:

Berati ka bërë 4.5 fish më pak testime

Dibra ka bërë 5.2 fish më pak testime

Durrësi ka bërë 4.2 fish më pak testime

Elbasani ka bërë 7.4 fish më pak testime

Fieri ka bërë 8.0 fish më pak testime

Gjirokastra ka bërë 2.2 fish më pak testime

Korça ka bërë 6.7 fish më pak testime

Kukësi ka bërë 2.5 fish më pak testime

Lezha ka bërë 3.4 fish më pak testime

Shkodra ka bërë 4.3 fish më pak testime

Vlora ka bërë 5.4 fish më pak testime

Duke e ditur që “TEST, TEST, TEST” është strategjia e duhur, vëreni se si përqindjet më të ulëta të testimeve pozitive vërehen pikërisht në qarqet ku është testuar më shumë për çdo 100.000 banorë, ku tashmë duket se Tirana është qarku më i mirë, pra me përqindjen më të ulët.

Në detaj:

Berati 43.8%

Dibra 29.5%

Durrësi 33.7%

Elbasani 45.9%

Fieri 66.4%

Gjirokastra 32.5%

Korça 47.7%

Kukësi 21.3%

Lezha 38.6%

Shkodra 34.4%

Tirana 13.8%

Vlora 48.7%

E për më shumë, për ata që ende kanë dyshime që rritja e testimeve është faktor kyç, vëreni se si numri i rasteve dhe i vdekjeve është më i ulët pikërisht në qarqet ku kryhen më shumë testime. Në detaj, për çdo 1.000 testime:

Berati ka 438 raste

Dibra ka 295 raste

Durrësi ka 337 raste

Elbasani ka 459 raste

Fieri ka 664 raste

Gjirokastra ka 325 raste

Korça ka 477 raste

Kukësi ka 213 raste

Lezha ka 386 raste

Shkodra ka 344 raste

Tirana ka vetëm 138 raste

Vlora ka 487 raste.

E njëjta gjë vërehet me humbjet e jetës, ku për çdo 1.000 testime:

Berati ka 7.7 humbje jete

Dibra ka 4.2 humbje jete

Durrësi ka 8.0 humbje jete

Elbasani ka 13.8 humbje jete

Fieri ka 13.4 humbje jete

Gjirokastra ka 4.7 humbje jete

Korça ka 9.4 humbje jete

Kukësi ka 3.9 humbje jete

Lezha ka 6.1 humbje jete

Shkodra ka 6.5 humbje jete

Tirana ka vetëm 2.4 humbje jete

Vlora ka 6.1 humbje jete.

Shifrat janë kokëforta miqtë e mi dhe nuk të lënë të hamendësosh. Prandaj shtimi i testimeve të shpejta është element kyç dhe duhet të liberalizohen dhe të përdoren masivisht. Duke testuar më shumë duket sikur shifrat shkojnë më keq në afatshkurtër, por në fakt thjesht na vënë në dukje atë çka ndodh realisht me apo pa testime, por duke na mundësuar veprimin, i cili në mangësi testimesh është detyrimisht më pak i informuar dhe më i pasaktë.