Transmetuar më 22-01-2021, 08:24

Agron Malaj, ish-komandant i grupit të zjarrit të Gardës së Republikës më 21 janar 2011, ka treguar detaje nga ngjarja që tronditi vendin dhjetë vjet më parë.

Ai shpjegon se si u thye perimetri i parë i sigurisë, si ndodhi hapja e derës dhe deri tek tërheqja e një pjese të efektivëve.

"Gjatë hapjes se portës, pati një gabim, pasi as nuk u hap nga protestuesit, por nga fotografi i gardës, për të dokumentuar veprimet e protestuesve, më pas në rrëmujë ngeli ashtu dhe u shty nga protestuesit, – tha ai për "News 24". Në momentin e hapjes së portës patëm thyerje të perimetrit të parë të sigurisë, ne kishim 3 perimetra: 1 porta, 2 teli me gjemba, 3 pedana".

Malaj rrëfen se duke parë situatën e tensionuar mes protestuesve, gardistëve iu është dhënë urdhër për të hapur zjarr.

"Një trupë e specializuar, edhe turmën duhet ta presë sipas agresivitetit, pra një turmë pa armë nuk e pret dot direkt me zjarr. Edhe kur hyri makina, prapë nuk mund të hapësh zjarr direkt, pasi hapja e zjarrit ka qenë individuale, pasi ne i bëmë instruktazh trupave (e ka edhe prokuroria), që zjarri hapet me urdhër, por përgjegjësia e hapjes së zjarrit është individuale, – vijon Malaj. – Ka pasur në radio urdhra për zjarr, por ky urdhër nuk mund të jetë thjesht verbal, pasi kishte shumë urdhra në radio në momentet e tensionit dhe personat nuk identifikoheshin. Nëse unë për shembull i jap urdhër për zjarr snajperëve që kisha vendosur lart, duhet të identifikohesha me kodin tim".

Sipas tij, "kur u hap dera në kryeministri, pati dyndje dhe veprimtari të armëve të zjarrit, dhe goditje me gurë nga protestuesit, një pjesë e madhe e efektivëve u larguan nga pozicionet e tyre, për tek Ministria e Financave dhe mbetëm rreth 17 veta. Pse ikën ata, është përgjegjësia e tyre. Braktisja e pozicioneve është shumë e shëmtuar dhe duhet të kishte hetim. Pati problematika edhe tek trupat e FNSH, sepse me gjithë agresivitetin e turmës nuk justifikohet braktisja e pozicioneve… Garda ka një shërbim analize dhe shërbim mediash që filmon tërë veprimtarinë e një operacioni. Dhe është sektori i analizës që bën analizimin e gjithë ngjarjes. Duhen ta kenë bërë… Po ne nuk kemi informacion", – shtoi ai.

Kush është Agron Malaj?

Agron Malaj ka qenë komandant seksioni i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës në protestën e 21 janarit 2011.

Ai ishte një ndër 10 oficerët e shkarkuar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ku sapo ky i fundit mori detyrën.

10 oficerët ishin pjesëtarë të “grupit të zjarrit”, të cilët qëlluan mbi protestuesit në tubimin ku mbetën katër qytetarë të vrarë.

Në lidhje me akuzat për ngjarjen e 21-janarit Rama ka deklaruar se  Agron Malaj nuk ka lidhje me ngjarjen.

Pasi u largua në vitin  2013 nga Garda, ai nisi karrierën politike, pasi u bë pjesë e Partisë Socialiste.  Më vonë ai u emërua kryetar i Partisë Socialiste për Matin dhe në të njëjtën kohë mori edhe detyrën e drejtorit të OSHEE-së për këtë rreth.

Në fushatën e zgjedhjeve lokale të 23 qershorit 2015, ai doli në krah të kryeministrit Edi Rama për të kërkuar votat për kandidaten socialiste. Tashmë ai mban detyrën si kryebashkiak i Matit. /e.a/noa.al/