Transmetuar më 22-01-2021, 12:38

Policia e Shtetit ka publikuar detaje në lidhje me operacionin e befasishëm në Nikël të Fushë Krujës, ku janë kontrolluar disa banesa gjatë natës të disa personave të dyshuar.

Sipas policisë, gjatë operacionit të kontrollit, ku u përdorën edhe dronë, janë zhvilluar kontrolle në 7 banesa, konkretisht në banesat e shtetasve: Durim Bami, Valter Bami, Bedri Haka, Marklen Haka, Gentjan Koçi, Ylli Çangu dhe Ervin Kodra.

Policia thotë se kontrollet janë zhvilluar në funksion të procedimit penal të ndjekur nga SPAK-u ndaj një grupi të strukturuar kriminal.

“Kontrollet për sigurimin e provave që do t’i shërbejnë hetimit, të zhvilluara në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në operacionin e kontrollit të banesave në Nikël, Krujë, janë përfshirë Drejtoria Hetimore Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës e Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë”, – njofton policia.

Gjatë kontrollit të banesave janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që do t’i shërbejnë hetimit në interes të procedimit penal.

Por kush është Durim Bami? Dyshohet se është një nga drejtuesit e bandës së Niklës në Fushë Krujë, i akuzuar për disa vepra penale, por të paprovuara nga drejtësia deri më sot.

Bami ka qenë i dënuar më herët për vjedhje me armë. Ai zuri titujt kryesorë të mediave në vitin 2015, për një atentat të pretenduar nga deputeti Tom Doshi.

Dosja përfundoi në prokurori, ku u zbulua dhe inskenimi. Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami u akuzuan për kallëzim të rremë, pasi Doshi akuzoi presidentin e sotëm Ilir Meta, se i kishte porositur një atentat me një pagesë prej 500 mijë euro.

Në nëntor të 2020, Bami i shpëtoi një atentati në Tapizë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri kushëriri i tij, Ervin Kodra, banesa e të cilit është kontrolluar nga policia në operacionin e mbrëmshëm. /e.a/noa.al/