Transmetuar më 23-01-2021, 12:54

Në Rusi, sot ka qenë dita e protestave kundër arrestimit të opozitarit rus, Aleksei Navalni. Mediat e huaja raportojnë se në Moskë, tensioni ka qenë i lartë, me policinë që filloi të ndalojë demonstruesit edhe para fillimit zyrtar të protestave.

Sipas medias në internet  "Meduza", mbi 20 persona u ndaluan pranë sheshit "Pushkin". Agjentët ndalojnë ata që mbajnë pankarta me parulla pro-opozitës, të tilla si "Liri për të burgosurit politikë".

Në qendër të Moskës, policia ka kryer një numër të madh arrestimesh, madje edhe me metoda të ashpra.

Një gazetar nga agjencia "Ansa" në vend, ishte dëshmitar i arrestimit të një djali rreth 12 vjeç. Protestuesit i bërtasin policisë, "Fashistë, fashistë". Është ndaluar nga policia edhe disidenti, Liubov Sobol, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Navalnit.

Sobol u ndalua gjithashtu të enjten dhe u gjobit me 250 mijë rubla (rreth 2,750 euro) nga një gjykatë në Moskë.

Ndërkohë, BBC raporton se gruaja e Navalnit Yulia, e cila u kthye nga Gjermania të dielën me bashkëshortin e saj, do të bashkohet me demonstratën në Moskë "për veten time, për të, për fëmijët tanë, për vlerat dhe idetë që ndajmë”.

Protestat kanë filluar prej orësh të tëra në Rusi dhe kanë nisur në Lindjen e Largët Ruse dhe Siberi, pavarësisht temperaturave rreth 50 gradë nën zero dhe vendimit për ndalimin e tubimeve ne lidhje me me masat anti-Covid.

Sipas mediave lokale dhe OJQ-ve, tashmë raportohët për të paktën 369 arrestime në të gjithë Rusinë.

Protestuesit janë të zemëruar rreth trajtimit që i ka bërë Kremlini, Navalnit pas shërimit të tij në Gjermani dhe rreth kërcënimit të madh që sheh presidenti rus, Vladimir Putin ndaj kritikut të tij 44-vjeçar.

Navalni, kritik i Kremlinit, ka thënë pas shërimit se beson që helmimi ndaj tij është urdhëruar nga presidenti rus. /e.a/noa.al/