Transmetuar më 27-01-2021, 21:39

Ndërsa të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe shumë të tjera jashtë tij, kanë afro dy muaj që bëjnë vaksinime, në Shqipëri njerëzit po ngopen me lugën bosh.

Një propagandë e pambarimtë nga të gjitha strukturat shtetërore për gjoja vaksina që venë e vijnë, por e vërteta është shumë larg realitetit.

Në ditën e parë të vitit 2021, z.Rama njoftoi se kishte arritur marrëveshje me Pfizer që të sjellë vaksina duke nisur nga mesi i janarit.

Kjo deklaratë u bombardua më tej me plot të ngjashme nga vartësit në Komitetin Teknik të Ekspertëve që nuk lënë studio televizive pa dalë.

Por çfarë po ndodh? Në të vërtetë Pfizer nuk ka sjellë asnjë flakon me vaksinën për Covid-19 edhe pse mesi i janarit ka afro dy javë që ka ikur.

Përse qeveria thotë se vaksinat fillojnë në mes të janarit me 11 mijë dozat e para dhe ato nuk vijnë? Lind pyetja, a po tallen me shqiptarët kështu?

E gjithë kjo situatë qartëson një gjë: 975 dozat e vaksinës që thuhet se erdhën më 11 janar, nëse vërtet kanë ardhur – pasi prova të qarta për ardhjen e tyre nuk jepen – duket të jenë vetëm një ushqim spiritual dhe elektoral për njerëzit e këtij vendi.

Aq më e qartë është se iku dhjetori, po ikën dhe janari e po vjen shkurti, por vaksina në Shqipëri nuk ka! Ka vetëm propagandë dhe ngopje me lugë bosh dhe skenarë në letër me plane vaksinimi.

Ndërkohë shumë shqiptarë po vuajnë pasojat e infektimit nga Covid-19 dhe çdo ditë po vdesin qytetarë të moshave nga më të ndryshme. Jetë që mund të kurseheshin nëse vaksina do të kishte ardhur sa më parë. E të mendosh që do të mjaftonin 500 mijë flakonë, pra 3 milionë doza, që të vaksinoheshin gjysma e njerëzve që jetojnë në Shqipëri.

Nëse qeveria mendon ende se vaksinimin do ta shtrijë në 24 muaj, pra deri në fillim të 2023, ka shumë gjasa që në të paktën gjysmën e kësaj kohe t’i duhet vetëm pakkujt. Historia na mëson, sikurse pohojnë shkencëtarët, se ky virus do të zhduket më së voni vitin e ardhshëm, ashtu si pandemia e gripit spanjoll.