Transmetuar më 27-01-2021, 13:56

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani dyshohet se është kërcënuar me jetë. Lajmin e ka bërë të ditur Faton Peci, këshilltari i Osmanit përmes një postimi në Facebook.

Ai shkruan se reagimi ndaj presidentes ka kohë që është i ashpër, duke shtuar se Osmani tashmë e ka kaluar fazën e kërcënimeve dhe se çdo përpjekje për ta frikësuar është e kotë

"Fushata e egër kundrejt Presidentes, ka një kohë të gjatë që po përcillet edhe me kërcënime me jetë.

Të gjithë ata që po tentojnë t`i drejtojnë shtizat nga ajo, në fakt po i kthejnë nga vetja. Zonja Osmani është politikane që e ka kapërcyer stadin e kërcënimeve dhe tendencave për denigrim.

Zonja Osmani, për qytetarin e thjeshtë është personifikim i guximit e konsistencës, ndaj çfarëdo përpjekjeje për ta frikësuar apo kërcënuar është e kotë! Ajo ende guxon dhe sërish do të guxojë!", – është komenti i Pecit.

Thuajse para dy javësh, Osmani ka arritur një marrëveshje me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti për të kandiduar në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. /e.a/noa.al/