Transmetuar më 28-01-2021, 22:43

ANALIZË, noa.al

Kur Partia Demokratike theu monizmin 50 vjeçar në Shqipëri, u arrit më në fund rikthimi i demokracisë dhe pluralizmit politik. Por vetëm pak muaj pas lindjes së saj, vërshuan si kërpudhat pas shiut, një tufë partish të vogla që dolën nga gjiri i PD.

Kjo solli në Shqipëri, shumë shpejt pas rikthimit të pluralizmit, edhe modën e partive plangprishëse që në thelb kishin dhe kanë, "unin" si objekt dhe subjekt.

Çdo parti e vogël që është bërë prezente në Shqipëri, sikundër e kemi parë të gjithë, është e përfaqësuar nga vetëm një emër duke lindur dhe funksionuar praktikisht si uniparti.

Edhe në Parlament janë dhe kanë qenë vetëm ata, krerët. Dhe janë po këta që hyjnë në pazarllëqe me partitë e mëdha për të marrë ç’të mundin. Sidomos mandate deputetësh.

Pambarimisht me kulisa dhe duke shfrytëzuar rritjen në pushtet që investohej edhe për shtim votash të unipartive të tyre, ato kanë arritur të hanë plot vite, sidomos kur partitë e mëdha kishin nevojë për çdo votë plus në Parlament për të votuar ligje, zyrtarë e deri kryetarë shteti.

Edhe tani, po ndodh e njëjta gjë, si një vazhdë e rutinës tashmë 30 vjeçare: Emra të pakënaqur të partive të mëdha, po krijojnë vazhdimisht parti, që de facto janë thjesht një person, me një grusht formal strukturash kukulla që bëjnë me demek partinë politike që drejtojnë.

Por cili është fati i këtyre partive? Rastet e Skënder Gjinushit me PSD, Paskal Milos me PDS, Idajet Beqirit me PUK, Agron Dukës me PAA, etj., ka treguar se për plot vite ata kanë arritur të mbajnë gjallë partitë e tyre duke u futur në ombrellat e partive kryesore.

Duke mos llogaritur këtu disa uniparti të tjera të disa pseudodeputetëve të Parlamentit më absurd të 30 viteve pluralizëm.

Megjithatë kohët duket se po ndryshojnë. Unipartitë duket të jenë pa vlerë për forcat kryesore politike dhe nuk janë më të domosdoshme për to. Aq sa shkëlqimi i tri dekadave më parë po kthehet në rënien pikiatë të tyre në këtë fillim të 2021.

Sado mirë që e kanë të qartë këtë, ato nuk reshtin së e provuari, duke zbatuar praktikisht, parimin kap ça të kapësh në këtë vorbull të shëmtuar që dominon politikën shqiptare. Ndaj në zgjedhje, "oferta" të tilla për shpëtimin e Shqipërisë, qytetarët do të gjejnë plot. Fjala për ta!