Transmetuar më 29-01-2021, 12:29

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg për 30 ditë", për Skënder Krasniqin, i cili akuzohet për vrasjen e të birit, biznesmenit të njohur në Kosovë, Albert Krasniqi.

Skënder Krasniqi, sipas prokurorisë, akuzohet për veprat penale "Vrasje e rëndë" dhe "armëmbajtje pa leje" të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Për këtë vrasje janë dhënë hipoteza të ndryshme, ndërsa xhaxhai i viktimës për mediat kosovare u shpreh se ajo ishte aksidentale.

Skënder Krasniqi, pas vrasjes njoftoi vetë policinë për ngjarjen e rëndë. Albert Krasniqi ka qenë i martuar me ish-Mis Kosovën, Besa Gashi, por ata i kishin dhënë fund martesës pas disa problemeve në të shkuarën.

Mësohet se ata kanë një vajzë. Burime për "Indeksonline", bëjnë të ditur se viktima ka pasur probleme familjare dhe se i kishte kërcënuar të afërmit e tij prej disa ditësh në mënyrë që t`i plotësonin kushtet që ai kërkonte.

Alberti dhe babai i tij kanë qenë biznesmenë të njohur në Kosovë. Albert Krasniqi ka pasur dhe një konflikt disa vjeçar me këngëtarin Noizy, i cili kulmoi me një përleshje të armatosur në qendër të Prishtinës në vitin 2014, por që u mbyll në gjykatë, ku shpallën pajtimin.

Ngjarja, e cila ndodhi dy ditë më parë, bëri shumë bujë për faktin se Albert Krasniqi ishte një biznesmen i njohur dhe kishte lidhje me njerëz nga bota e muzikës, me këngëtarë të Shqipërisë dhe të Kosovës. /e.a/noa.al/