Transmetuar më 12-02-2021, 12:21

Pas ditëve me shi, duket se reshjet i kanë lënë vendin të ftohtit dhe reshjeve të dëborës. Që nga kjo fundjavë, ku të dielën është edhe Shën Valentini, ose Dita e të Dashuruarve, pritet një mot i ftohtë që do të shoqërohet reshje dëbore në disa qytete të vendit.

MeteoAlb bën një panoramë të fundjavës, duke parashikuar reshje dëbore edhe në zonat e ulëta veriperëndimore.

Mbrëmja e së shtunës deri mëngjesin e së dielës, sjell dëborën edhe në Tiranë, Elbasan, Berat, ndërsa mund të zbardhen edhe Durrësi, Fieri dhe brigjet e Jonit, por mundësi më të ulët për dëborë paraqesin Vlora dhe Saranda.

Parashikimi i MeteoAlb

Dita e premte sjell mot të kthjellët dhe të ftohtë në pjesën më të madhe të Shqipërisë, ndërsa vranësirat shtohen gjatë orëve të mbrëmjes dhe në vijim. Dita e shtunë rikthen reshjet në territor; dëborë në zonat malore mbi 400 m lartësi, ndërsa shi në pjesën tjetër të vendit. Pasditja e së shtunës sjell një tjetër rënie të theksuar të temperaturave në gjithë vendin, duke zgjeruar zonën e shfaqjes së dëborës edhe në zonën e ulët veriperëndimore. Mbrëmja e së shtunës, deri mëngjesin e së dielës, sjell dëborën edhe në Tiranë, Elbasan, Berat, ndërsa flokë dëbore shfaqen në Durrës, Fier dhe brigjet e Jonit, por mundësi më të ulët për dëborë paraqesin Vlora dhe Saranda. /e.a/noa.al/