Transmetuar më 13-02-2021, 09:43

Rreth 70 vjet të kaluara së bashku, të ndara vetëm nga virusi Covid 19, i cili në fillim i mori jetën burrit dhe pas disa ditësh edhe gruas.

Margaret dhe Derek Firth, një burrë dhe grua të moshës 91-vjeç, ishin dashuruar që kur ishin 14 vjeç: së bashku ata u rritën, patën pesë fëmijë dhe më vonë 11 nipër e mbesa dhe katër stërnipa.

Ata ndërruan jetën në Spitalin e Përgjithshëm ‘Trafford’ të Mançesterit në Britani të Madhe javën e kaluar, por gjithsesi ishin në gjendje ta shikonin njëri-tjetrin para se të vdisnin.

Ekziston edhe një fotografi e momentit të takimit të tyre të fundit, e marrë nga vajza e tyre, Barbara, e cila i portretizon ata të kapur për dore, në dy shtretër të spitalit. Ata janë kthyer në një simbol, duke prekur gjithë botën.

Historia e tyre e dashurisë, e cila ka regjistruar mijëra klikime në internet, u tregua nga "Manchester Evening News".

Të kurorëzuar që nga viti 1950, të dy festuan 70-vjetorin e martesës vitin e kaluar. Margaret ishte trajnuar si makiniste dhe më vonë punoi si pastruese, ndërsa Derek, fillimisht ishte kasap dhe e mbylli punën para se të dilte në pension, si punëtor në magazinë, raporton Noa.al, duke cituar agjencinë e lajmeve, "Ansa".

Kur Derek u bashkua me Margaret për lamtumirën e fundit, sipas vajzës së tyre, ai e pyeti gruan: "Ku ke qenë?". "Nga ai moment, – thotë Barbara, – ajo dukej se ishte më mirë, takimi dukej se i dha asaj një shtysë. Ishte një moment mjaft i trishtuar, por në të njëjtën kohë ishte me të vërtetë mirë që ishin atje së bashku".

Vajza shpjegon se babai i saj, ndoshta kontraktoi Covid 19 pikërisht duke shkuar për të vizituar nënën e saj, "por nuk kishte asnjë mundësi dhe as të mendohej, që ai nuk do të shkonte ta takonte atë". /e.a/noa.al/