Transmetuar më 16-02-2021, 13:23

Shemsi Prençi, këshilltari i Presidentit Ilir Meta për Çështjet e Emergjencave Civile, ka dhënë dorëheqjen.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i shtetit, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku argumenton se ish-këshilltari i tij tashmë, është dorëhequr për shkak të angazhimeve të reja.

“Këshilltari për Çështjet e Emergjencave Civile, z.Shemsi Prençi, pasi më informoi si çdo ditë, për situatën e përmbytjeve në mbarë vendin dhe gjendjen e banorëve në zonat e bllokuara nga dëbora, më njoftoi sot dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, për shkak të angazhimeve të tij të reja në të ardhmen.

E falënderova për këshillat e vlefshme, përkushtimin, korrektësinë, profesionalizimin dhe ndjenjat atdhetare të dëshmuara prej tij gjatë bashkëpunimit tonë të frytshëm për gati dy vite. Duke e pranuar dorëheqjen e z.Prençi, i urova suksese për të ardhmen”, – shkruan Meta. /e.a/noa.al