Transmetuar më 17-02-2021, 08:11

Republika e Kosovës shënon sot 13-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Për nder të këtij eventi, janë organizuar një sërë aktivitetesh nga institucionet e vendit.

Fillimisht aktivitetet nisin me ceremoninë e ngritjes së Flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Me pas, në bazë të agjendës shtetërore të aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, do të mbahen homazhe në Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, te varri i presidentit Rrugova, si dhe tek Varrezat e Dëshmorëve në komunat e Kosovës.

Manifestimi qendror për shënimin e Pavarësisë, do të mbahet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku do të marrin pjesë, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti si dhe figura tjera publike.

Gjatë kësaj dite, po ashtu do të organizohen gara sportive nga federatat e ndryshme të sporteve, si dhe do të hapen ekspozita dhe koncerte nga institucionet kulturore në vend.

Edhe Qendra Kinematografike e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, do të shfaqë filma kosovarë me rastin e 13-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Kosova do ta shënojë këtë përvjetor, në pritje të formimit qeversë së re, e cila do të udhëhiqet së shpejti nga Albin Kurti, pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm ndaj LDK dhe PDK.

Kujtojmë se të dielën e 17 shkurtit të vitit 2008, në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës, u lexua Deklarata e Pavarësisë.

Deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, shpallën vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ky akt u kontestua nga Serbia, e cila kërkoi edhe vlerësimin e ligjshmërisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Në korrik të vitit 2010, kjo gjykatë konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur, ndërsa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.

Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas Pavarësisë. Deri më tani, Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e ka njohur, është Izraeli.

Nga vitin 1999, kur edhe Kosova u çlirua nga Serbia, deri në shpalljen e Pavarësisë, vendi u administrua nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, ndërsa pati paralelisht institucionet e saj demokratike – Kuvendin, Presidentin dhe Qeverinë. /e.a/noa.al/