Transmetuar më 17-02-2021, 09:15

Ekzekutimi me armë zjarri para banesës ndaj një të riu shqiptar, ka tronditur ditët e fundit Islandën, një shtet i vogël, ku ngjarje të tilla ndodhin thuajse shumë rrallë.

Mediat e këtij vendi kanë dhënë detaje të reja nga ngjarja, e cila ka ndodhur të shtunën e 13 shkurtit, duke zbuluar, se viktima është identifikuar si Armando Beqiri.

Mësohet se ai ishte 33 vjeç, me origjinë nga Tepelena dhe është ekzekutuar jashtë shtëpisë së tij në Rejkjavík.

Deri tani janë tre persona të arrestuar, ndërsa i dyshuari kryesor është një lituanez. Fqinjët u shprehën se nuk dëgjuan krisma, duke lënë të kuptohet se vrasja u bë me silenciator.

Mësohet se një burrë rreth të dyzetave nga Lituania, i dyshuari kryesor për vrasjen, është paraqitur në Gjykatën e Rejkjavíkut ditën e djeshme. Ai po mbahet në paraburgim dhe policia po heton shkakun e krimit.

Kur i arrestuari u largua nga gjykata, as avokati i tij dhe as policia nuk dhanë detaje për gazetarët. I riu shqiptar la pas gruan shtatzënë islandeze dhe një fëmijë të vogël 15 muajsh.

Familja e tij ndodhej brenda në shtëpi në kohën kur ai u qëllua, ndërsa fqinjët raportuan se nuk kishin dëgjuar asgjë të pazakontë.

Armando ishte larguar drejt Islandës në dhjetor 2014, ku u martua dhe pati një fëmijë. Momentalisht gruaja e tij është shtatzënë dhe po pret fëmijën e tyre të dytë. Beqiri ishte prorar i një kompanie të ruajtjes fizike në Islandë.

Shqiptari sapo kishte parkuar makinën dhe po hynte në shtëpi në orën 23:57 të së shtunës, kur u qëllua me armë zjarri. Autori i kishte bërë pritë në prag të shtëpisë duke e qëlluar disa herë, në shpinë, qafë dhe kokë. Ai u dërgua menjëherë në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.

Mediat islandeze shkruajnë se 33-vjeçarii u përshtat menjëherë me jetesën e vendit dhe ishte një tifoz i zjarrtë i ekipi kombëtar të futbollit, duke e ndjekur edhe në Botërorin e Rusisë.

Madje, pasi mori shtetësinë pak kohë më parë, ai kishte votuar për herë të parë në Islandë në zgjedhjet parlamentare. /e.a/noa.al/

Lexo edhe:

Ekzekutohet me armë zjarri shqiptari në Islandë, la pas gruan shtatzënë dhe një fëmijë të mitur