Transmetuar më 17-02-2021, 16:31

Vaksinat e reja që janë prodhuar për të luftuar koronavirusin e ri Sars Cov2, janë realizuar me mARN dhe kjo ka hedhur dyshime edhe në radhët e mjekëve me përvojë se ato mund të ndryshojnë ADN-në tonë me pasoja të rrezikshme.

Një ditë më parë noa.al publikoi një analizë të mjekut të njohur, Prof. Dr. Alket Koroshi i cili ka dyshime të forta mbi vaksinat me mARN.

Por sa e mundshme është që të ndodhë kjo? Mjeku i mirënjohur, Dr. Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, në një intervistë me kryeredaktorin e noa.al, Edison Kurani, i jep përgjigje pyetjes së mundimshme nëse mund ta ndryshojnë ADN-në e njeriut vaksinat me mARN.

Dr. Alimehmeti thotë se vaksinat me mARN nuk mundet ta ndryshojnë ADN-në e njeriut dhe për këtë, ai shtjellon më shumë në analizën për noa.al:

"Përgjigja e shkurtër ndaj kësaj pyetjeje është “Jo”, por duke qenë se një përgjigje kaq e shkurtër nuk është shumë e kënaqshme, le të hedhim një sy më të kujdesshëm.

Alimehmeti thotë se "ekzistojnë tri arsye pse mund të flitet me besueshmëri se vaksinat me mARN nuk janë në gjendje të ndrysojnë ADN-në e njeriut". Ato janë vendndodhja, procesi dhe qëndrueshmëria.

Në vijim mjeku Alimehmeti analizon të tri faktorët:

1.Vendndodhja: mARN-ja është aktive në citoplazmën qelizore, ndërsa ADN-ja është e mbrojtur në bërthamën qelizore. mARN-ja nuk mund të hyjë në bërthamë, kështu që dy llojet e acideve nukleike nuk ndodhen në asnjë moment në të njëjtin lokalizim qelizor.

2.Procesi: mARN-ja nuk është ADN. Për t’u alteruar ADN-ja e njeriut, ARN-së i duhet të kthehet në ADN përmes enzimës transkriptazë reverse. Njerëzit nuk e kanë këtë lloj enzime. Disa viruse e kanë transkriptazën reverse (p.sh. HIV), por vetë koronaviruset nuk e disponojnë këtë enzimë. Viruset e familje Coronaviride kanë një fije të vetme ARN-je, të njohur si ARN me “drejtim pozitiv”.

Kjo do të thotë se kur koronaviruset hyjnë në citoplazëm, ato nuk kanë nevojë të transkriptohen. Proteinat krijohen drejtpërdrejtë nga ARN-ja virale me drejtim pozitiv. Po kështu veprojnë edhe vaksinat me mARN, duke futur mARN-në në citoplazëm në mënyrë që të ndodhë translatim direkt duke prodhuar proteina.

Por, disa autorë kanë sugjeruar se personat e infektuar me HIV (virusi i imunodeficiencës humane) kanë transkriptazë reverse dhe po mendohet nëse ky fakt mund të bëjë që vaksina të shkaktojë ndryshime në ADN.

Për dr. Alimehmeti, kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë pasi "HIV-i infekton limfocitet T CD4+, ndërsa vaksinat me mARN procesohen nga qelizat dendritike".

"Ngjashmërisht, vijon mjeku, – nëse prania e transkriptazës reverse nga një infeksion afatgjatë do të lejonte alterimin e ADN-së së personit të infektuar nga viruset me ARN, tashmë ky proces do të ishte identifikuar, duke qenë se numri i personave me HIV në botë është tejet i lartë prej disa dekadash".

Duke u ndalur më tej në analizën e tij tek faktori i tretë qëndrueshmëria, mjeku thotë: "mARN-ja nuk është shumë e qëndrueshme. Gjysëm-jeta e saj në qelizat e njeriut përllogaritet të jetë vetëm disa orë.

Për arsye terapeutike, modifikimet janë zhvilluar në mënyrë të atillë që ta mbajnë molekulën në qelizë vetëm për aq kohë sa nevojitet për të siguruar suksesin e terapisë. Dhe në fund të fundit, mARN-ja nuk lejon dot prodhimin e proteinave për periudha më të gjata se 10-14 ditë". /Noa.al/

Çfarë deklaroi një ditë më parë dr. Koroshi

"Dihet që vaksina ka në vetvete kopje të virusit të koronës të cilat në sajë të molekulës S bëjnë të mundur të hyjnë në qelizat e trupit tonë (trupi ynë ka 30 trilionë qeliza) dhe të shkaktojnë prodhimin e antitrupave që janë të dobishme se në rast se më vonë infektohemi nga virusi këto antitrupa i bllokojnë dhe i zhdukin viruset e vërteta. Deri këtu në rregull.

Por, thotë Dr. Koroshi, kush na siguron dhe kush e ka vërtetuar që ARN e kopjeve të viruseve që fusin në organizëm kur hyjnë në qelizë, nuk transformohen në ADN dhe si të tilla të bëhen pjesë përbërëse e ADN-së së njeriut (kjo dihet shkencërisht që mund të ndodhë në sajë të ekzistencës së reverse transkriptazës që realizon këtë transformim)"

Analiza e plotë e dr.Koroshit